​IKSHPK thirrje qytetarëve: Bartni maskat e vaksinohuni

Aktuale

​IKSHPK thirrje qytetarëve: Bartni maskat e vaksinohuni

Më: 28 mars 2022 Në ora: 19:57
Foto ilustrim

IKSHPK u ka bërë sot thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të bartin maska dhe të vaksinohen në kohën kur variantet e Omicron BA.1 dhe BA.2 të koronavirusit po vazhdojnë të përhapen.

Në një postim në Facebook thuhet se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbajnë maska, distancën sociale, higjienën, të shmangin udhëtimet e panevojshme, të qëndrojnë në shtëpi dhe të ajrosin ambientet e mbyllura.

IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhimbje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen.

Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, IKSHPK apelon për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare.

“Të gjitha të dhënat nga vendet tjera dëshmojnë qartë dhe pa asnjë dyshim, se dy variantet e Omicron mund të shkaktojnë sëmundje të rëndë dhe humbje jete, sidomos mes personave të pa vaksinuar dhe, deri diku, edhe mes atyre që nuk kanë marrë dozën përforcuese. Andaj, vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin dhe rastet e rënda klinike”, thekson IKSHPK.

Ndryshe, në 24 orët e fundit 16 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19 nga 830 testime, dy persona kanë vdekur, 76 janë shëruar, ndërsa numri i rasteve aktive është 597.

Deri më sot 820.020 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Deri më sot janë dhënë 99.787 doza përforcuese dhe doza të treta të vaksines kundër COVID-19. Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.821.268 doza të vaksinës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat