Përplasje opozitë-pozitë në Kuvend, PDK lëshon seancën – shkak ministrja Gërvalla

Aktuale

Përplasje opozitë-pozitë në Kuvend, PDK lëshon seancën – shkak ministrja Gërvalla

Nga: Bota sot Më: 12 prill 2022 Në ora: 07:21 Përditësuar në ora: 16:31 më 12.04.2022
Seanca e Kuvendit, Ministrja Donika Gërvalla- 12 prill 2022

​Përfundon seanca e debatit parlamentar për politikë të jashtme

Ka përfunduar seanca ku u mbajt debat parlamentar për politikën e jashtme. Meqë në sallën e Kuvendit nuk ka qenë e pranishme ministrja Donika Gërvalla, opozita ka vendosur që të lëshojë sallën.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se për vazhdimin e kësaj seance do të vendoset në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit. 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka vlerësuar pushtetin me njësh në politikë të jashtme. 

Zemaj: Po e përfundojmë seancën me një njësh sa koka 

“Ne po e mbyllim këtë debat me një vlerësim në atë ditarin e paaftësisë me një njësh sa koka, kaq qe. Edhe nuk kemi çka të shtojmë tjetër”, tha ai.

Edhe deputetja Albana Bytyqi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar se nuk do të qëndrojë në sallë, për shkak të mos prezencës së ministres Donika Gërvalla. 

​PDK lëshon sallën pas largimit të ministres Gërvalla

Partia Demokratike e Kosovës ka lëshuar sallën plenare, pas largimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Largimin e kësaj të fundit nga debati parlamentar për politikën e jashtme, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri e quajti ofenduese për opozitën. 

Tahiri: Ne e lëshojmë sallën, largimi i Gërvallës ofendues 

“Në asnjë rrethanë nuk e mirëkuptojmë largimin e ministres sepse është caktuar kjo datë për me qenë gjatë gjithë debatit në këtë Kuvend. Vërtet është mjerim, largimi i ministres nga debati e dëmtoi jashtëzakonisht shumë dhe ne si propozues të këtij debati nuk do të vazhdojmë më tutje që të qëndrojmë në sallë, pasi është e papranueshme dhe është ofenduese. Kujt m’i fol ne, kryeministrin jo, ministren jo”, tha ai.

Blerta Deliu: Për herë të parë presidentja dhe kryeministri nuk kanë arritur të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se për herë të parë krerët më të lartë të shtetit nuk kanë arritur të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë dhe të zhvillojnë takim me presidentin Biden.

Deputetja e PDK-së, tha se për këto vite Kosova ka dështuar dhe ka stagnuar sa i përket politikës së jashtme.

“Edhe vetë do të ndihesha mirë që Kosova do të shënonte suksese. Dëgjova deklarimin e ministres për 174 takime. Dëgjova edh zëdhënësen e presidentes që u degjua sot në këtë sallë zonjën Gërvalla ku unë prita shumë plane konkrete prej saj. Ministrja do të duhej të na fliste me pika konkrete, projektet që i ka shënuar në politikën e jashtme. Për herë të parë presidentja dhe kryeministri Kurti nuk kanë arritur të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është e izoluar dhe Kosova vazhdon të stagnojë”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së: Në Ministrinë e Jashtme ka shkelje ligjore

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se në qeverinë Kurti, Kosova ka përjetuar degradim në politikën e jashtme.

Në seancën ku po diskutohet për politikën e jashtme, Musliu-Shoshi, ka thënë se në çdo paraqitje në forume Kosova është portretizuar si vend i krimit dhe korrupsionit nga vetë institucionet e saj.  

“Ashtu siç propozoi edhe profesor Hoxhaj. Në këtë ministri ka shkelje ligjore. Ka mungesë konsistence. Në qeverinë Kurti kemi përjetuar degradim në politikën e jashtme. Pra në çdo paraqitje në forume Kosova është portretizuar si vend i krimit dhe korrupsionit nga vetë institucionet e saj”, tha deputetja e PDK-së.

“Në këto 14 vjet shtet përfaqësuesit tanë kanë shkëmbyer vizita dhe kemi arritur 117 njohje. Pra kemi një përfaqësim që nuk përfaqëson as parime as iniciativa. Kemi politikë të jashtme me korrespodencë. Deri me tani kemi parë shkarkime duke u thyer çdo parim ligjor. Nga presidentja jonë kemi vizitë me komuna dhe ministre që nuk arrin të mësojë rolin e saj”, tha ajo.

Jahja Kokaj e merr seriozisht deklaratën e Kurtit për yllin polar

Në debatin mes kryeministrit Kurti dhe deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj për politikën e jashtme u aludua mbi disa procese astronomike siç janë qielli i hapur dhe Ylli Polar. Kreu i qeverisë, me satirë ka kërkuar që shpjegimet për proceset në fjalë t’i japë deputeti Jahja Kokaj i cili është profesor i fizikës.

Deputeti i VV-së, Kokaj ka marrë fjalën në Kuvend dhe ka vazhduar me shpjegimet e tij për proceset.

“Kur është fjala për hapjen e qiellit, fenomeni natyror është i bazuar në faktin në mes të natës paraqitet dritë e befasueshme sepse s’ekziston as dielli e as hëna, gjeneron një stuhi diellore magnetike bëhet një fenomen kuantik në molekulat e atmosferës dhe gjenerohet në ngjyra të bukura dhe këto quhen Aurora Boleris”, tha Kokaj.

Ndërkaq sa i përket Yllit Polar, Kokaj tha se pas 13 mijë vjetësh orientimi në tokë do të ndërrojë dhe një yll tjetër do të jetë pikë orientuese në planetin tonë.

“Kurse Ylli Polar na shërben për orientim falë faktit se boshti i tokës është konstant, por pas 13 mijë vjetësh ndërron ai drejtim në vend të Yllit Polar ka qenë ylli Shaban kurse në të ardhmen do të jetë një yll tjetër i quajtur Vega pas 13 mijë vjetësh”, tha deputeti i VV-së në seancë.

Gërvalla flet për sanksionet ndaj Rusisë: Jo Amelika, Amelika, kështu tregohet partneriteti me aleatët

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla duke folur për sukseset e ministrisë së saj në politikën e jashtme, ka përmendur gjatë sanksionet ndaj Rusisë.

Ajo tha se Kosova i është bashkuar masave që ndëshkojnë luftën ruse në Ukrainë.

“Më 23 mars Qeveria miraton vendimin për zbatimin e sanksioneve ekonomike. Jo “Amelika, amelika” kështu tregohet partneriteti strategjik. Më vjen keq të dëgjoj nga ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj që Kosova paska nevojë ri pozicionohet ndaj politikës së jashtme. Zotëri Hoxhaj na garantoi se as nuk do të ketë njohje të reja, as nuk do të ketë liberalizim dhe BE. Ku e merr këtë vendosmëri”, tha kryediplomatja.

“Ne e kemi kundërshtar Serbinë. Kosova është duke punuar intensivisht me punë. Numri i takimeve është 174 takime gjatë 12 muajve punë. 52 takime vetëm me homolog. Presidentja ka takuar dhjetëra krerë të shteteve”, tha Gërvalla pasi numëroi sanksionet ndaj Rusisë.

​Tahiri me kërkesë ndaj Qeverisë Kurti: Të ketë angazhim serioz për kërcënimin me vdekje të Martyt

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës angazhim serioz, pas kërcënimit me vdekje të ish senatorit zviceran Dick Marty nga shërbimet sekrete serbe.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit tha se heshtja e institucioneve vendore i konvenon Serbisë.

Tahiri: Të ketë angazhim serioz për kërcënimin me vdekje të Dick Marty

“Sot kemi ardhur në një situatë kur sponzorizuesi kryesor kërcënohet me vdekje nga ai që ka prodhuar raportin Kjo ka krijuar një momentum të ri për Kosovën, jam duke kërkuar një angazhim serioz të Kosovës në këtë çështje. Serbisë i konvenon heshtja jonë, prandaj nuk mjafton deklarata dhe ne duhet me pas agjendë për këtë çështje për të nxjerr të vërtetën”, tha ai.

Kurti: E kthyem dialogun për ndarje territoriale në një proces transparent, ja kur do të aplikojmë në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet lidhur me politikën e jashtme, ka përmendur se sivjet Kosova aplikon në Bashkimin Evropian.

Kurti ka folur gjatë për reformat, të arriturat, dhe politikën e jashtme se si ka avancuar Kosova, derisa ngecjet ua ka faturuar qeverive të kaluara

“Më 22 mars 2021, kur filluam këtë mandat, politkën e jashtme e gjetëm në gjendje të vështirë, nuk pati qasje të barabartë në bashkëpunimet bialterale. Nuk pati përgatitje për aplikim në organizata ndërkombëtare, asnjë strategji për shtetet që nuk na kanë njohur. Shërbimi i jashtëm ishte në gjendje të rënduar. Pas një viti kemi situatë rrënjësisht tjetër. Kosova ka përfaqësim dinjitoz”, u shpreh kryeministri Kurti.

Kurti tha se po ashtu, “Kosova ka intensifikuar raportet me pranterët”.

“Kosova ishte pjesëmarrëse e Defender Europe 2021. Ishim krah ushtarëve amerikanë. Kemi strehuar refugjatë afganë e kemi hapur dyert për refugjatë ukrainasë, duke u rreshtuar me partnerë botërorë. Në gjysmën e dytë të 2020 dhe gjysmën e parë të vitit 2021 impenjimi kryesor ishte për gjetjen e vaksinave antiCOVID. Humbëm kohë sepse qeveria e kaluar nuk kishte punuar që të gjente vaksina. Qeveria jonë punoi dhe doli e sukseshme. Sot kemi për qindjen më të ulët të vdekjeve në rajon, dhe përqindjen më të lartë të vaksinimit”, tha Kurti.

Kurti po ashtu foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për herë të parë, Kosova u ul në tavolinën e dialogut me Beogradin, nga takimet e kaluara të fshehta, u kthyem në proces transparent që ka synim njohjen reciproke. Këtë për herë të parë e thanë edhe nga BE-ja se dialogu ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, u shpreh Kurti.

“Kemi realizuar numër të konsideruehsëm të vizitave bilaterale, ku e kemi përfaqësuar politikën e Kosovës”.

“Mbajtëm takime të ndara me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë e Maqedonisë Veriore. Shpresojmë, edhe me Malin e zi. MPJD e ka rikthyer në vëmendje praktikën e konsultimeve mes ministrive. Kjo ka ndikuar në thellim të marrëdhënieve diplomatike. MPJD ka përpiluar strategji për vendosjenn e marrëvdhënieve mes shteteve që nuk na njohin. Serbia ka bërë fushatë mbi 30 shtete për çnjohje, por pa sukses. Përkundrazi Kosova ka filluar vendosjen e raporteve me vende të reja, siç ishte Timori”, tha Kurti.

Këtu ritheksoi se “E kemi bërë publikisht të ditur se sivjet aplikojmë në Bashkimin Evropian”.

Kurti tha, se më në fund, po vendoset ligjshmëria në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Haradinaj: Qeveria Kurti po i lufton UÇK-në dhe Amerikën

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se qeveria Kurti po e lufton UÇK-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këto komente Haradinaj i bëri në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për politikën e jashtme.

“Vlera e jashtme është NATO e prirë nga Amerika. Kushdo që udhëheqë me Kosovën s’guxon me dalë prej themeleve të veta. Në kohën sa VV ka qenë në opozitë i ka mëndu si fajtorë të gjithë të tjerë dhe ia ka lënë fajin UÇK-së se komandantët po e udhëheqin vendin. Në raste të caktume, kanë mendu se ka faj edhe Ibrahim Rugova, e se Amerika ka faj se po i mban në pushtet komandantët. Për fat të keq, sot e kësaj dite, tri vlera janë të rrënuara, luftohet UÇK-ja, kanë mbet peng i asaj kohe, po vazhdohet me qenë kundër Amerikës, si ndodh me qenë kundër Amerikës, është tu i harxhu qeveria Kurti kreditat e atyre që s’janë më në jetë”, tha Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se po synohet që projektet e Amerikës të mos implementohen.

“Projekti i gazsjellësit rezulton me dobësinë e Amerikës për ta hequr gazin rus nga Serbia. Dy faktorë nuk kanë pushtet ekzekutiv në vend, UÇK-ja dhe Amerika, bëhet çmos në mënyrë konsistene që të mos ndodhin projektet që i synon Amerika deri te marrëveshjet bilaterale.Ju mundeni me kujtu se ua kemi inati, na ua kemi inati deri në at masë sa mos me pësu Kosovës, por i gëzohemi edhe qeverisë tonë kur fiton. Ju kemi gëzu moslejimit të referendumit serb, ju kemi gëzu fondit të sigurisë”, tha deputeti Haradinaj”, tha Haradinaj.

​Abazi për politikën e jashtme: Prej idesë së ndarjes së Kosovës jemi kthyer në pozicion kredibil

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka deklaruar se Qeveria Kurti është duke rindërtuar politikën e jashtme, e cila sipas tij është lëkundur nga ish-qeveritë e kaluara.

Ai në debatin parlamentar për politikën e jashtme në Kuvend, tha se prej idesë për ndarje të Kosovës, ekzekutivi e ka kthyer diplomacinë në pozicion më kredibil.

Abazi: Jemi kthyer prej ndarjes në një pozicion më kredibil për vendin

“Karrigia në OKB mirë që nuk është reale sepse nuk ka qenë reale edhe në momentin që keni dashtë me e nda Kosovën. Ideja që ju keni propaganduar se mund të bëhemi anëtare e Kombeve të Bashkuara duke ndarë Kosovën ka qenë po aq joreale po sa është sot, pasi është Rusia me të drejtën e vetos. S’kemi nevojë me i hedh hi syve të popullit... Edhe në ambasada është paguar me para të taksapaguesve për ndarje të Kosovës. Ky është problem, jemi kthyer prej ndarjes në një pozicion më kredibil për vendin”, tha ai.

Ai sugjeroi partitë opozitare të mos i fryjnë armiqësisë me ShBA-në, pasi një gjë e tillë siç tha ai, nuk ekziston.

Abazi: Mos i fryni armiqësisë me ShBA-në

“Në listën e zezë të amerikanëve nuk janë anëtarët e LVV-së, janë njerëzit që krimin dhe korrupsionin e kanë pasur instrument të politikës së jashtme, njerëz që e kanë shtyrë Kosovën drejt ndarjes, janë njerëzit e PDK-së. Mos i fryni armiqësisë me ShBA-në, pasi nuk i hynë në punë Kosovës ajo punë”, tha ai.

Abazi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend tha se ndalimi i referendumit dhe zgjedhjeve serbe e ka kthyer Kosovën në pozicion bilateral me Serbinë.

Ndërkohë tha se mungesa e njohjeve është vazhdimësi e ish-qeverive të kaluara që e kanë afatizuar dialogun me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat