100 eurot e Kurtit përplasin AAK-në me analistin Imer Mushkolaj

Aktuale

100 eurot e Kurtit përplasin AAK-në me analistin Imer Mushkolaj

Më: 12 prill 2022 Në ora: 16:08
Ramush Haradinaj, Imer Mushkolaj

AAK-ja e Ramush Haradinajt, përmes një komunikate për media ka polemizuar me analistin politik Imer Mushkolaj, për vendimin e qeverisë Kurti që t’i japë 100 euro për punëtorët e sektorit privat e publik si dhe pensionistëve e studentëve.

Mushkolaj ka kritikuar reagimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ndaj vendimit të qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove, që sipas Mushkolajt të njëjtën kërkesë e ka pasur edhe AAK-ja.

“Na ka pasë lodhë AAK’ja duke kërku që qeveria t’ua ndajë nga 100 euro zyrtarëve publikë. Tash kur qeveria vendosi t’ua jep krejtve, n’publik e n’privat, nga 100 euro, Ramushi po thotë se janë pak dhe nuk e zgjidhin problemin. A po koncentroheni, se po bëheni qesharakë”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Ndaj këtij shkrimi të Mushkolajt në Facebook, AAK ka nisur një komunikatë për media.

Në këtë komunikatë, AAK deklaron se në kohën kur ka kërkuar ndarjen e 100 eurove e ka pasur fjalën për të gjithë njerëzit edhe për të papunët.

“E para, AAK ka kërkuar që të ndihmohen të gjithë qytetarët, pa përjashtim, të punësuar dhe papunësuar gjatë kohës pandemike, ne vitin 2020. Kjo ka qenë masë emergjente sepse njerëzit s’kanë pasur mundësi as për ilaçet e trajtimit të sëmundjes. E dyta, Kryeministri Kurti, nuk po ja u “jep krejtve” siç po thotë z. Mushkolaj, sepse armata e të papunëve as që është përfillë prej ndihmës së qeverisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, partia e Haradinajt, ka kërkuar nga Mushkolaj që të koncentrohet dhe jo të kërkojë nga partia AAK të ketë koncentrim.

“E treta, Aleanca ka më shumë se një vit që kërkon miratimin e ligjit të pagave, që do të ishte një zgjidhje afatgjate e Kryeministri po mendon që miratimin e këtij ligji mund ta shtyjë me 100 euro. Dhe e fundit, ne i kemi kërkuar që në situatën e një krize të thellë financiare, qeveria ta rishikojë buxhetin, në mënyrë që të përshtaten prioritetet financiare për përballimin e krizës së shtrenjtimit të jetesës. Prandaj z. Mushkolaj, përpara se të kërkojë nga ne që të koncentrohemi, nuk do të ishte keq që të koncentrohej vet”, thuhet tutje në komunikatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat