Profesori për çështje të sigurisë thotë se Serbia qëndron prapa sulmit të veri, ky është plani i Vuçiqit

Aktuale

Profesori për çështje të sigurisë thotë se Serbia qëndron prapa sulmit të veri, ky është plani i Vuçiqit

Më: 15 prill 2022 Në ora: 18:32
Aleksandar Vuçiç

Profesori i çështjeve të sigurisë, Fatmir Qollakaj, ka thënë se sulmi me granata dore dhe kallashnikov në pikën kufitare në Zubin Potok janë vazhdim i skenarit të Serbisë.

“Sulmet e sotshme janë në një mënyrë apo tjetër në harmoni me skenarë të ndryshëm tashmë të njohur për neve për vite të tëra, sidomos në këtë fazën kur kemi edhe luftën në zemër të Evropës dhe kërcënimet, provokimet dhe shantazhimet e vazhdueshme që Serbia bën përmes grupeve kriminale, përmes struktrurave paralalel apo dhe instrumentalizimit të qarqeve të caktuara”.

“Retorika përçmuese dhe kërcënuese e presidentit [Aleksandar Vuçiq] në kontinuitet dhe këto veprime i shoh në skenarin që Serbia e ka në vazhdimësi për destabilizim të veriut të Kosovës, si dhe për të përhapur frikë dhe pasiguri te qytetarët e Kosovës, dhe për të treguar se shteti i Kosovës është i dobët”.

Ai, në “Info Magazine” të Klan Kosovës, ka lënë të nënkuptohet se prapa këtij sulmi qëndron Serbia.

“Në vazhdimësi, herë më shumë e herë më pak, herë drejtpërdrejt e herë në mënyrë të tërthortë, sepse grupet kriminale dhe strukturat paralele janë të inkurajuara në vazhdimësi nga Republika e Serbisë, herë në mënyrë deklartive dhe të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë të tërthortë”.

Profesori i çështjeve të sigurisë deklaroi se sulmi i ditës së sotme ka qenë më serioz dhe më i rrezikshëm i cili ka mundur të përfundojë me viktima.

“Vetë gjuajtja mbi Policinë e Kosovës nga strukturat e dyshuara kriminale dhe ato që janë në prapaskenë e që realizojnë objektivat e synuara nga Serbia përmes skenarëve të ndryshëm është shqetësuese natyrisht, por jam i prirur që këto shqetësime të menaxhohen në kuptimin që janë të pritshme. Nuk pres më mirë dhe më tepër nga Serbia kur në vazhdimësi kreu i shtetit, Aleksandar Vuçiq, kërcënon, nënçmon dhe përçmon shtetin e Kosovës”.

Qollakaj ka thënë se në të gjithë sektorët e sigurisë të rritet vigjilenca dhe të ketë koordinim shumë më të madh me KFOR-in.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat