Shala: Si opozitë e bashkuar do ta çojmë deri në fund kërkesën për Komisionin Hetimor

Aktuale

Shala: Si opozitë e bashkuar do ta çojmë deri në fund kërkesën për Komisionin Hetimor

Më: 20 prill 2022 Në ora: 21:19
Ferat Shala

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të zbrapset deri në realizimin e kërkesës së tyre – formimin e Komisionit Hetimor për krizën energjetike në vend.

Kështu ka deklaruar deputeti i këtij subjekti politik, Ferat Shala i cili në “Këndin e Debatit” pohoi se janë të obliguar si opozitë e bashkuar ta çojnë përpara deri në fund këtë kërkesë tyre.

Krejt kjo, sipas tij për shkak se nuk kanë rrugë tjetër dhe u është mbyllur mundësia e debatit dhe e drejta parlamentare po shkelet.

“Kjo është forma të cilën jemi të obliguar tashmë jo vetëm si parti politike por jemi të obliguar si opozitë e bashkuar ta çojmë deri në fund këtë kërkesë tonë sepse gjuha e komunikimit institucional, e parlamentarizmit, e drejta parlamentare po shkelet po largohet po anashkalohet s’kemi rrugë tjetër ne na është mbyllur mundësia e debatit e kërkesës së llogaridhënies ka qenë legjitime dhe kushtetuese”, tha ai.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Ekonomi shton se për insistimin në formimin e këtij komisioni nuk kanë pasur alternativë tjetër.

“Nuk është praktikë e re formimi i Komisionit nuk kemi pasur alternativë tjetër përveç kësaj të bashkohemi si opozitë dhe të vëmë këtë vijë të kuqe që nuk mund ta kalojnë më as pjesa e mazhorancës”, shtoi Shala.

Ndryshe, partitë opozitare të martën kanë lëshuar sallën e Kuvendit ku edhe kanë bërë të ditur se do të bëjnë bojkot të punës derisa të formohet ky Komision.

Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e kanë kundërshtuar formimin e këtij Komisioni në rrethanat aktuale, pasi që thonë se “ka shkelje kushtetuese”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat