Pas takimit me amerikanët, Kurti ‘godet’ Serbinë

Aktuale

Pas takimit me amerikanët, Kurti ‘godet’ Serbinë

Më: 25 prill 2022 Në ora: 19:56
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit në Prishtinë me zyrtarët e lartë amerikanë. Ai tha se me delegacionin amerikan të udhëhequr nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried biseduan për thellim të bashkëpunimit në mes të dy vendve.

I pari i ekzekutivit tha se Kosova do të jetë gjithmonë krah SHBA’së derisa kërkoi integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.

Kurti kujtoi se Serbia nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, veprim ky i cili sipas Kurtit s’duhet mirëkuptuar.

“Edhe sot folëm për sukseset e shtetit të Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta japin në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thelle në mes të dy vendeve tona, sidomos në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes dhe të sigurisë”, tha Kurti.

“Dje u bënë dy muaj prej që kur nisi invazioni dhe agresioni i pa provokuar dhe pa justifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës.  Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjat shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas,  ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Putinit despotik”, shtoi ai.

“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me SHBA me BE dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Përveç sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në pesë mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase e do të mirëpresim edhe të tjerë”, shtoi ai.

Kurti ka kërkuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin Europian dhe të ndihmohet rruga e saj drejt NATO’s.

“Po jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për tu distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë, vlerë orientim e Aleanë. Vlerë anti-demokratike. Orientim joperëndimor dhe aleancë autokratësh. Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi i sa më shpejtë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe  NATO, i shteteve që janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse.Kosova duhet të anëtarësohet në këshillin e Europës dhe të bëhemi pjesë e programit të Partneritetit për Paqe të NATO’s”, tha Kryeministri.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat