​Masakra në Studime, familjarët presin drejtësi

Aktuale

​Masakra në Studime, familjarët presin drejtësi

Më: 2 maj 2022 Në ora: 14:38
​Masakra në Studime, familjarët presin drejtësi

Në 23-vjetorin e masakrës në Studime të Vushtrrisë, familjarët kanë përkujtuar më të dashurit e tyre, të cilët u morën me dhunë dhe u vranë nga forcat kriminele serbe.

23 vjet më parë banorët e Studimes pa tmerrin me sytë e tyre, kur forcat serbe vranë 116 shqiptarë të pafajshëm.

Këta të fundit u nxorën nga kolona e qindra njerëzve që kishin marrë rrugë për Shqipëri. Nga dëshmitarët mësohet se 116 civilët u pushkatuan brenda dy orëve.

Nëna Hatixhe Ferati përkujton me lot në sy momentet e fundit me më të dashurit e saj, të cilët iu vranë në këtë masakër.

Ferati: Kurrë nuk më hiqen nga mendja

“Na i morën prej dore, nëpër ta shkelnim aty, nuk guxonim të afrohemi, t’i marrim, as t’i shohim apo t’i prekim. Dolëm disa andej. Kisha edhe plakin me vete pasi nuk mund të ecte, fëmijët dhe vajzat, krejt ashtu. Këta i ndalën. Nëna si të dalë e të shkojë?... Kurrë nuk më hiqen nga mendja, qysh po e shihje fëmijën, veç Allahu që i dërgoi këta të shkretë”, tha ajo.

Musa Gërguri, një tjetër familjar, i cili në këtë masakër humbi vajzat e tij 16 e 20-vjeçare dhe motrën 23-vjeçe, përkujton ka thënë se do t’i kujtojnë gjithmonë, ndërsa mbetet me shpresën se masakra të tilla të mos ndodhin më.

Gërguri: Uroj që masakra të tilla të mos ndodhin më

“Shpresoj të mos ndodhë kurrë me siç ka ndodhur... Pesë janë, dy vajza i kam edhe motrën... Njëra 20 vjeç e tjetra 16-vjeçe, motra 23-24 vjeç. Çka kemi të bëjmë, duhet të pajtohemi”, tha ai.

Ndërsa Isa Gërguri thotë se po presim nga institucionet të vendoset për drejtësi për autorët e këtyre krimeve makabre.

Gërguri: Ka qenë tmerre, presim drejtësi

“Tmerr ka qenë, veç nuk kemi çfarë të bëjmë. Atë natë në kolonë kemi qenë, por kush ka pasur ymër ka jetuar, kush nuk ka pas e kanë mbytur. Motra ka qenë 25-vjeçare, vajza e vëllait 20-vjeçare dhe mixha ka qenë diku 63-vjeçar... Jeta e ka kështu. Ata (kriminelët serbë) po sillen të lirë, i njohim shumicën, po presim derisa të vendoset diçka”, tha ai.

Ndryshe, masakra në Studime të Vushtrrisë nga krerët e institucioneve të Kosovës është quajtur ndër masakrat më të tmerrshme ndaj shqiptare gjatë luftës së fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat