Ambasada e Francës dhe Britanisë: I takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për rezultatin e dialogut

Aktuale

Ambasada e Francës dhe Britanisë: I takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për rezultatin e dialogut

Më: 6 maj 2022 Në ora: 17:21
Pamje nga darka në Berlin

Ambasada britanike në Beograd ka deklaruar se i takon Kosovës dhe Serbisë të vendosin për rezultatin e dialogut.

Britania e Madhe e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Ne mbështesim fuqishëm dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe i takon Serbisë dhe Kosovës që të vendosin për rezultatin e këtij procesi, i cili presim që do të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të mirën e njerëzve të të dy vendeve”, thuhet në reagimin e ambasadës, shkruan Danas.

Ndërkaq, në përgjigjen e Ambasadës Franceze në Serbi thuhet se Franca mbështet plotësisht përpjekjet aktuale të Përfaqësuesit Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në ndërmjetësimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

“Në këtë drejtim, ne e mirëpresim takimin që u organizua me iniciativën e kancelarit gjerman”, thonë nga Ambasada Franceze në Beograd.

Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dy ditë më parë, kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të ketë shumë detaje, por se do të përfshihet edhe njohja e Kosovës.

Asokohe, Scholz kishte biseduar në takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin.

Franca ishte gjithashtu ndër vendet e BE-së që njohën pavarësinë e Kosovës në vitin 2008. Nga 27 anëtarët e BE-së, Kosova nuk është njohur nga vetëm pesë shtete. Negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve filluan në vitin 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat