Kasumi thotë se nëse bëhen hulumtime serioze në Serbi mund të gjenden varrezat masive

Aktuale

Kasumi thotë se nëse bëhen hulumtime serioze në Serbi mund të gjenden varrezat masive

Më: 12 maj 2022 Në ora: 20:31
Haki Kasumi

Me ndihmë të ekspertëve, janë gjetur mbi 70 përqind e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, tha Haki Kasumi nga Këshilli Koordinues i Familjarëve për Personat e Zhdukur.

Sipas tij, vendndodhja e varrezave mund të gjendet, por vetëm në qoftë se bëhen hulumtime serioze në çdo vend të Serbisë.

“Në raport me qasjen dhe numrin e ekspertëve, besoj se kemi arritur rezultate nga numri total që ishte shumë i madh në përfundim të luftës. Diku mbi 70 përqind e personave të zhdukur janë gjetur dhe është definuar statusi i tyre. Unë besoj se në qoftë se bëhen hulumtime të duhura dhe serioze në çdo pëllëmbë të tokës në Serbi, mund të gjenden varrezat”, tha Kasumi.

Gjithashtu, Kasumi bëri të ditur se kanë besim të plotë në udhëheqësit e tyre, duke shtuar tutje se qeveria ka bërë zgjidhjen e duhur.

Mirëpo, e rëndësishme për të është që kjo çështje të ketë angazhim dhe përpjekje serioze nëse duan rezultate pozitive në fund të procesit.

“Ne kemi besim absolut në udhëheqësit tanë, ata i kemi mbështetur ne, i ka zgjedhur qeveria dhe besoj se ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme. Ne si familjarë nuk ma merr mendja se e kemi vendin në Serbi. Pala tjetër mund të mendojnë se ne do të shkojmë atje dhe do të vajtojmë, mirëpo nuk është momenti, pasi që kjo çështje nuk dëshiron lot, por angazhim dhe përpjekje serioze, ngase është një nga problemet më të ndërlikuara të shekullit dhe botës”, shtoi tutje Kasumi.

Kujtojmë se para dy ditëve kanë filluar gërmimet në kërkim të mbetjeve mortore të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në Serbi.

Këto gërmime filluan pasi në fund të javës së kaluar janë siguruar imazhet satelitore përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat