RrGK kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e dhunimit seksual të të miturës

Aktuale

RrGK kërkon shqiptimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin e dhunimit seksual të të miturës

Më: 13 maj 2022 Në ora: 10:54
Foto ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës thotë se me shqetësim të madh sot përmes mediave u njoftua për edhe një rast të dhunimi seksual të një vajze të mitur në Komunën e Gjakovës.

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi mbështet kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë që të dyshuarit për kryerjen e veprës penale “dhunim” në mes të datave 3-5 maj të këtij viti në Junik në shtëpinë e tij, t’i shqiptohet masa e paraburgimit deri sa te merret një vendim i prerë nga gjykata.

RrGK bën thirrje që i dyshuari pas vlerësimit të provave të marrë dënimin meritor konform peshës së veprës. :

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nenit 227, theksohet se “Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet… ndërsa në rastet kur viktima është e mitur dënimi duhet të jetë jo më pak se pesë (5) vjet deri në 20 vjet burgim efektiv.”, thuhet në reagim

Sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mbi 70% të rasteve të dhunimeve seksuale viktima janë vajzat e mitura.

Dhuna seksuale ndaj grave dhe vajzave dhe çdo lloj tjetër i dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të luftohet nga e gjithë shoqëria dhe çdo ushtrues i dhunës duhet të marrë dënimet meritore nga organet kompetente.

Po ashtu, RRGK bën thirrje që gjatë punës me të miturën të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme.

"RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juiridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850", përfundon reagimi.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat