Kryetari Glauk Konjufca priti në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq

Aktuale

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq

Më: 18 maj 2022 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin tonë.

Në takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Kryetari Konjufca shprehu mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa theksoi se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviq e falënderoi Kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Ai po ashtu shprehu domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kryetari Konjufca dhe presidenti malazez Gjukanoviq i vlerësuan të shkëlqyera marrëdhëniet ndërshtetërore dhe shprehën përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit me interes për shtetet tona.​

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat