Hoxhaj: Bashkimi Evropian t’ia ulë kokën Serbisë në Ballkan

Aktuale

Hoxhaj: Bashkimi Evropian t’ia ulë kokën Serbisë në Ballkan

Më: 18 maj 2022 Në ora: 23:59
Enver Hoxhaj

Ish-ministri i Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Putin nuk i ka dhënë rëndësi Kosovës, por e ka përdorur si kartë për të luftuar perëndimin dhe rendin ndërkombëtar, duke shtuar se Bashkimi Evropian duhet “t’ia ulë kokën” Serbisë.

Nënkryetari i Kuvendit Enver Hoxhaj ka deklaruar se Putin, Kosovën e ka përdorur si temë për të përçarë perëndimin.

“Arsyeja pse pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën, ka të bëjë me politikën e përçarjes. Nuk i ka dhënë Putini rëndësi Kosovës, por e ka përdorur si kartë për të luftuar perëndimin dhe rendin ndërkombëtar. Bashkimi Sovjetik ka financuar shumë parti politike në Ballkan, kanë qenë kryesisht të majta. Tani rëndësi për Rusinë ka që të jenë pro ruse, nacionaliste dhe mbi të gjitha platforma për të luftuar hegjemoninë amerikane dhe për të treguar se shpërbërja e Evropës po ndodh.”, ka thënë Hoxhaj në televizionin shqiptar, MCN TV.

Në televizionin shqiptar, Hoxhaj tutje tha se nëse Rusia nuk ka kaluar traumën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Serbia nuk ka kaluar traumën e Serbisë së Madhe.

“Serbia është kopje e botës ruse. Kjo mendësi mendoj që është serioze dhe këtu duhet Bashkimi Evropian të jetë i qartë nëse kanë gabuar që ta lexojnë drejt Rusinë si fuqi e mundshme bërthamore. Të paktën në Ballkan duhet t’i ulin kokën Serbisë. Nuk mund të sillet si fuqi hegjemone në Ballkan, duke blerë armë nga Rusia dhe Kina, 20 vite pas luftës.”, ka thënë tutje ai.

Ditët e fundit ish ministri Hoxhaj ka bërë të ditur që sapo ka nxjerr në treg librin e tij të ri, me titull “Përplasja e Madhe – Si po e lufton Rusia, Kosovën dhe Ballkanin”, libër që flet për luftën diplomatike dhe hibride ruse kundër Kosovës e Ballkanit në tërësi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat