Këshilli i Prindërve i mbështetë kërkesat e SBASHK-ut ndaj qeverisë tyre

Aktuale

Këshilli i Prindërve i mbështetë kërkesat e SBASHK-ut ndaj qeverisë tyre

Më: 20 maj 2022 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Këshilli i Prindërve të Kosovës ka reaguar me një ditë vonesë pas njoftimit nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit se të premten nuk do të ketë mësim për shkak të protestës së punëtorëve në arsim.

KPK në reagim arsyeton veprimet e SBASHK-ut, duke thënë se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj.

Madje, siç thuhet në njoftim SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprim, ndërkaq prindërit, bashkë me fëmijët janë pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat kushtetuese.

Lexoni të plotë reagimin e Këshillit të Prindërve:

Qëndrim i Këshillit të Prindërve të Kosovës për mos zhvillimin e mësimit sot në arsimin publik

Këshilli i Prindërve i Kosovës vlerëson se vonesa në miratimin e Ligjit të Pagave dhe mos zhvillimi i dialogut social Qeveri-Sindikata është duke nxitur reagimin edhe të të punësuarve në sektorin e arsimit, qoftë përmes protestave e grevave, të drejta këto që u janë garantuar me ligj.

Por ndërsa Qeveria nuk lëviz në miratimin e Ligjit të Pagave, sipas premtimeve të dhëna nga vetë ajo, e njëkohësisht nuk interesohet për dialogun social; dhe nga ana tjetër SBASHK-u ka argumente valide për nivelin e pamjaftueshëm të pagave në arsim dhe të drejtën ligjore për të marrë masa të tilla veprimi; ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese. Ne vazhdojmë ta paguajmë faturën e mos veprimeve, nganjëherë edhe inateve, në mes të punëdhënësit (në këtë rast Qeverisë së Kosovës) dhe punëmarrësve, në këtë rast mësimdhënësve në sektorin e arsimit publik (lexo SBASHK).

Ne gjykojmë se është për keqardhje se si arsimi vazhdon të trajtohet (sidomos) nga qeverisja në Kosovë, duke besuar fort se një nga arsyet kryesore të emigrimit të qytetarëve nga Kosova është mosbesimi në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Andaj jo rastësisht për 12 vjet i kemi rreth 100 mijë nxënës më pak në sistemin edukativo-arsimor parauniversitar në Kosovë.

Sidoqoftë rezultati i këtij procesi, dhe kushdo qoftë ‘fituesi’ në cak, sigurt është që sistemi publik edukativo-arsimor në Kosovë është pandalshëm në degradim. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat