​Nikolla: Shqipëria e përkushtuar për të lobuar për pranimin e Kosovës në KiE

Aktuale

​Nikolla: Shqipëria e përkushtuar për të lobuar për pranimin e Kosovës në KiE

Më: 21 maj 2022 Në ora: 15:56
Foto nga takimi

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Saranda Bogujevci, si dhe Ariana Musliu-Shoshi e Arben Gashi, anëtarë, është pritur në Tiranë nga kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla. 

Sipas një komunikate të Qeverisë, në takim u diskutua lidhur me intensifikimin e angazhimeve të të dy parlamenteve dhe delegacioneve respektive në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, vetëm disa ditë pas aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kryesuesja e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Bogujevci, vlerësoi lart rolin e Shqipërisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe në këtë linjë, mbështetjen e madhe të saj në procesin e aplikimit për anëtarësim në KiE.

Kryesuesja Bogujevci falënderoi kryetaren Nikolla dhe delegacionin e Tiranës në APKiE për këtë kontribut.

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të lobuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE-së për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë. 

Në funksion të arritjes së këtij objektivi, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u prit në një takim të veçantë edhe nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë pranë APKiE, kryesuar nga Blerina Gjylameti, kryesuese e delegacionit.

Sipas komunikatës, në këto takime të ngrohta e miqësore, u diskutua edhe për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit midis dy parlamenteve, në kuadër të veprimtarisë së përditshme parlamentare. Gjatë qëndrimit në Tiranë, delegacioni takoi edhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, Armand Skapi dhe drejtorin e përgjithshëm, Sokol Dedja. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat