Takimi i Kryeministrit Kurti me zëvendëspresidentin Berset: Zvicra mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KE

Aktuale

Takimi i Kryeministrit Kurti me zëvendëspresidentin Berset: Zvicra mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në KE

Më: 24 maj 2022 Në ora: 13:41
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi zëvendëspresidentin e Zvicrës, Alain Berset, gjatë Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos.

Gjatë takimit u vlerësuan lartë marrëdhëniet e afërta miqësore dhe lidhjet e ngushta njerëzore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Zëvendëspresidenti Berset tha se Republika e Kosovës është shtet prioritar për Konfederatën Zvicerane.

U theksua zgjerimi dhe thellimi i bashkëpunimit sa më të afërt për interesat dhe çështjet e përbashkëta, siç janë zhvillimi socio-ekonomik i Kosovës dhe stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor. U vlerësua angazhimi prej shumë vitesh i Zvicrës në arritjen e këtyre objektivave, që reflektohet edhe në programet e bashkëpunimit zhvillimor dhe mbështetjes së paqes.

Zëvendëspresidenti Berset konfirmoi mbështetjen e fuqishme të Zvicrës për aplikimin zyrtar të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, në një nga organizatat më të vjetra dhe më të mëdha evropiane, që qytetarëve të Kosovës do t'u mundësojë të përdorin mekanizmat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

U bisedua për mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve, për të siguruar drejtësi sociale dhe ekonomike, si dhe mundësitë e shkëmbimit bilateral në fusha të ndryshme, e veçanërisht në shëndetësi.

Kryeministri Kurti theksoi stabilitetin institucional, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit e korrupsionit dhe indikatorët pozitivë ekonomikë në Republikën e Kosovës. Ai potencoi mërgatën e Kosovës në Zvicër si pjesë integrale për zhvillimin e vendit tonë.

Duke biseduar lidhur me zhvillimet në Ukrainë, z.Berset tha se Zvicra mirëpret pozicionimin e qartë të Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi domosdoshmërinë për bashkërendim dhe bashkëpunim të mëtejshëm të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe botës demokratike, për të kundërshtuar agresionin e Rusisë, por edhe për t’u përballur me ndikimin e pasojat e mundshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat