​Për edukimin dhe informimin e votuese kërkohet të angazhohen edhe partitë politike

Aktuale

​Për edukimin dhe informimin e votuese kërkohet të angazhohen edhe partitë politike

Më: 26 maj 2022 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Edukimi dhe informimi i votuesve mbetet sfidë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) marrë parasysh shumë akterë, dizajnin e fletëvotimeve dhe zgjedhjet e shpeshta parlamentare në vend të cilat krijojnë huti te qytetarët.

Kështu u tha sot në punëtorinë me temën “Bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile në edukimin dhe informimin e votuesve në të ardhmen”, organizuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së, theksoi se roli i këtij komisioni dhe shoqërisë civile është në përmirësimin e vazhdueshëm të procesit zgjedhor. 

Elshani: Edukimi i votuesve dhe informimi mbetet një sfidë në vete

“Ruajtja e integritetit, rritja e transparencës, menaxhimi efikas, numërimi dhe publikimi i shpejtë dhe i saktë i rezultateve zgjedhore janë parimet mbi të cilat KQZ me këtë përbërje është e angazhuar. Duke ditur rolin tuaj si akterë të rëndësishëm të mbarëvajtjeve të zgjedhjeve, kërkesës tuaj insistuese mbi transparencën financiare të partive politike dhe KQZ-së dhe përvojës të juaj, ne jemi të gatshëm të marrim parasysh rekomandimet që përmirësojnë procesin zgjedhor. Edukimi i votuesve dhe informimi mbetet një sfidë, marrë parasysh shumë akterë, përfshirë dizajnin e fletëvotimeve dhe zgjedhjet e shpeshta parlamentare që krijojnë huti”, theksoi Elshani. 

Gjatë prezantimit të analizës së votave me asistencë u tha se në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, nga 799 mijë e 825 votues, 43 mijë e 602 kanë votuar me asistencë apo 5.45 për qind.

Sipas këtyre të dhënave, ky numër i votimit me asistencë është më i ulët sesa në dy proceset zgjedhore në nivel vendi më 2017 dhe 2019.

Alim Rama anëtar i KQZ-së tha se numri i madh votueseve me asistencë paraqet problem në procesin zgjedhor. Për këtë, ai tha se adresimi i kësaj çështje bashkë me shoqërinë civile është i rëndësishëm për zgjedhjet. 

Rama: Paraqet problem numri i madh i votuesve me asistencë

“Sipas analizës së brendshme në KQZ, paraqet një problem rasti i votave me asistencë, ku në bazë të kësaj analize janë diku rreth 5.5 për qind e qytetarëve që kanë votuar me asistencë, e cila paraqet problem në procesin tonë. Adresimi i kësaj çështjeje është i rëndësishëm, në mënyrë që në proceset e ardhshme zgjedhjet të jenë edhe më të mira”, tha Rama. 

Ndërsa, Albert Krasniqi nga Demokraci Plus, tha se edukimi dhe informimi i votuesve nuk duhet të jetë aktivitet vetëm i KQZ-së, por edhe i partive politike. 

Krasniqi: Edukimi e informimi i votuesve s’duhet të jetë aktivitet vetëm i KQZ-së

“Është vështirë që KQZ-ja në periudhë të fushatave të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për një kohë të shkurtër, të përgatit gjithçka për informim dhe edukim të votuesve, dhe në të njëjtën kohë të përballet me fushatë të partive politike… Kështu KQZ-ja vërehet shumë pak në fushata të tilla. Për edukimin dhe informimin e votuesve nuk duhet ta shohim si kompetencë ose si një aktivitet vetëm të KQZ-së, duhet edhe partitë politike të angazhohen në edukimin dhe informimin e votuesve të tyre, si për rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje, ashtu edhe për mënyrën se si duhet të votojnë. Po ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile”, theksoi Krasniqi. 

Bujar Basha, udhëheqës i ekipit të zgjedhjeve në OSBE, tha se kjo organizatë ndërkombëtare ka kontribuar vazhdimisht në proceset zgjedhore në Kosovë dhe shtoi se shoqëritë civile kanë një rol të veçantë në këto procese. 

Basha: Shoqëritë civile kanë rol të veçantë në proceset zgjedhore

“Ne do të vazhdojmë t’ju përkrahim në përputhje me kërkesat dhe nevojat. Nga viti 2014 kemi bashkëpunuar ngushtë me organizata të shoqërisë civile për zgjedhje, dhe duke marrë parasysh përfshirjen e tyre në procese zgjedhore, ne ju inkurajojmë për një bashkëpunim sa më të mirë për zgjedhjet e ardhshme, sepse shoqëritë civile kanë rol të veçantë në proceset zgjedhore. Ne do të vazhdojmë t’ju përkrahim në përputhje me kërkesat e juaja”, theksoi ai. 

Në publikimin e KQZ-së, ofrohet një analizë e detajuar për votimin me asistencë në vendvotimet që gjenden në zonat urbane dhe rurale, duke paraqitur edhe krahasimin se ku është më i shprehur. 

Nga 43 mijë e 602 votues me asistencë, 13 mijë e 558 kanë votuar në qendra të votimit në zona urbane, ndërsa 30 mijë e 44 kanë votuar në qendra të votimit në zona rurale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat