IKSHPK bën thirrje për kujdes: Kemi rritje të rasteve me COVID, vendosni maskat

Aktuale

IKSHPK bën thirrje për kujdes: Kemi rritje të rasteve me COVID, vendosni maskat

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 13:02
Foto ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar qytetarët që të bartin maskat në ambiente të mbyllura si dhe të vijojë vaksinimi. Ky apel vjen pas rrritjeve të rasteve me këtë virus, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet e tjera.

“Kosova shënon këtyre ditëve rritje të rasteve të reja të COVID-19 por fatmirësisht nuk ka raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Në vende të ndryshme të botës, po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Ky institut ka bërë të ditur se është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. IKSHPK u rekomandon të gjithë personave me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, që të testohen, derisa apelon për vaksinim.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet tutje në apelin e IKSHPK-së.

MSh dhe IKSHPK rekomandojnë qytetarët që përkundër situatës së qetë dhe stabile epidemiologjike në vend, të jenë të kujdesshëm në zbatimin e masave preventive kundër sëmundjeve ngjitëse dhe të vaksinohen kundër COVID-19.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat