Lëvizja Vetëvendosje insiston që Thaçi e Veseli të dëshmojnë në Komisionin Hetimor për Energjinë

Aktuale

Lëvizja Vetëvendosje insiston që Thaçi e Veseli të dëshmojnë në Komisionin Hetimor për Energjinë

Më: 28 qershor 2022 Në ora: 16:13
Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli

Ish-ministrja e Energjisë, Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministri Bedri Hamza, tash kryetar i Komunës së Mitrovicës, janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve nga Komisioni Hetimor për Energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022.

Listën e të ftuarve e ka bërë të ditur anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.

Por deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe dy emra. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë qenë dy propozimet e deputetit të VV-së.

Muja ka propozuar të ftohen si dëshmitarë edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.

Pastaj në lidhje me vendimmarjen e ZRRE-së, deputeti Muja ka propozuar të ftohet edhe ish-kreu i Bordit të KEK-ut, Berat Rukiqi, i cili qe disa vite udhëheq Odën Ekonomike të Kosovës.

Po ashtu, ai ka propozuar ftesën për drejtorin e KEDS-in, biznesmenin turk, Alpin Dogan.

Lista e propozuar nga Muja nuk është shqyrtuar dhe votuar ende nga Komisioni Hetimor.

Kryesues i këtij komisioni është deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja.

Anëtari tjetër nga kjo parti është edhe Rashit Qalaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, anëtarë të këtij komisioni janë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi (zëvëndëskryesues i Komisionit) Armend Muja.

Ndërsa nga LDK anëtarë janë Armend Zemaj dhe Rezarta Krasniqi. Nga AAK-ja anëtare është deputetja Time Kadrijaj. Prej Listes Serbe (LS) anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik anëtare është Duda Balje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat