​Rama: Argumentova fort që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe

Aktuale

​Rama: Argumentova fort që Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 16:18
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se ka kërkuar në Samitin e NATO-s që Kosova të përfshihet në mekanizmin e partneritetit për paqe.

Pas kthimit nga Madridi i Spanjës, Rama tha se është e udhës që NATO duhet të merr veprime të jashtëzakonshme në aspektin politik dhe vendimmarrjes.

Rama: Kosova të përfshihet ne mekanizmin e Partneritetit për Paqe

“Ne kemi kërkuar që Kosova të përfshihet ne mekanizmin e Partneritetit për Paqe, i cili është një stad tjetër i marrëdhënieve me NATO-n dhe që i pararend anëtarësimit në NATO. Kemi dhënë besoj unë, të gjitha argumentet përkatëse dhe është e udhës që e gjithë Aleanca të kuptojë se pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga disa prej vendeve, kjo nuk është një kohë e zakonshme dhe si një kohë e jashtëzakonshme, kërkon edhe akte të jashtëzakonshme, në aspektin politik edhe në aspektin e vendimmarrjes. Kosova, pavarësisht se Ukraina nuk e njeh, këtë gjë e kam theksuar shumë fort, ka mbajtur një qëndrim absolutisht të qartë dhe të saktë duke treguar një maturi të rëndësishme si shtet në raport me detyrimet ndaj gjithë kësaj familjeje të madhe, që Kosova e ka të lidhur pazgjidhshmërisht fatin e saj”, tha ai.

Krahas mbështetjes për Kosovën, kryeministri Rama tha se ka kërkuar që Serbia të mbahet sa më afër me frontin kundër agresionit dhe se presioni mbi Serbinë mos të shkojë në një krisje që mund të ketë pasoja për rajonin.

Rama: Presioni mbi Serbinë të mos shkojë në një krisje në rajon

“Serbia të mbahet sa më shumë dhe sa më afër me frontin kundër agresionit dhe që presioni mbi Serbinë të mos shkojë në një krisje që mund të ketë pasoja pastaj të pallogaritshme për vetë rajonin”, tha Rama.

Rama para gazetarëve foli edhe për idenë për instalimin e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit.

Rama: Do të diskutojmë për instalimin e bazës navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit

“Po ashtu, kemi folur atje për projektin tonë dhe së shpejti besoj që do të rikthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimin lidhur me propozimin tonë që ka ngjallur jo vetëm interes, por edhe dëshirë për të thelluar bisedimet për instalimin e një baze navale të NATO-s në portin e ri të Durrësit, në portin e ri që do të jete në Porto Romano dhe që përveç pjesës komerciale dhe tregtare, parashikohet të ketë edhe një pjesë ushtarake. Së shpejti do të bëjmë një takim të posaçëm për këtë çështje me gjithë ekipin tonë të eksperteve dhe me ekspertët e Aleancës, për të parashtruar projektin me detaje dhe për të vazhduar më tutje me diskutimet”, tha ai.

Ndërkohë, tha se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet të pranojnë propozimin e Francës për zgjidhjen e ngërçit mes tyre.

Rama: Nuk kemi asnjë problem me Bullgarinë

“Ajo që duhet të jetë e qartë edhe për Bullgarinë, që ne nuk kemi absolutisht asnjë problem me Bullgarinë, nuk kemi asnjë shqetësim të asnjë natyre tjetër përveç shqetësimit të krijuar nga qasja e Bullgarisë ndaj çështjes bilaterale në Maqedoninë e Veriut dhe nga peng marrja e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për pasojë, në kushtet e një procesi që mund të kishte qenë shumë civil edhe shumë më evropianë nga ana e Bullgarisë, por është një ujë që ka kaluar nën urë dhe me mbylljen e procesit të shqyrtimit dhe uroj të aprovimit nga ana e autoriteteve dhe institucioneve në Maqedoninë e Veriut të propozimit të fundit francez”, përfundoi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat