Prapaskenat e vizitës së Kurtit në Greqi/ Kërkohet mbështetje e fuqishme për kryeministrin – ky është sinjali pozitiv për Kosovën!

Aktuale

Prapaskenat e vizitës së Kurtit në Greqi/ Kërkohet mbështetje e fuqishme për kryeministrin – ky është sinjali pozitiv për Kosovën!

Nga: A.M Më: 14 korrik 2022 Në ora: 16:12
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka qëndruar për disa ditë me radhë në Greqi, ku mori pjesë në dy konferenca të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi. 

Qëndrimi i gjatë i kryeministrit Kurti nxiti reagime të shumta nga deputetët e opozitës, të cilët iu ‘vërsulen’ atij me kritika dhe akuza. 

Mirëpo, pas kritikave të shumta të opozitës, zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu reagoi dhe njoftoi se kryeminitri Kurti është në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, atë të “The Economist” dhe Simpoziumit Symi. 

Ai tregon se sikur herave të kaluara edhe këtë vit shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit i mbulon organizatori.

Lidhur me këtë vizitë të gjatë, u aludua se ka mundësi që kryeministri Kurti ka lobuar për njohjen e pavarësisë nga ana e Greqisë.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Gani Qarri foli për vizitën e gjatë të Kurtit në Greqi.

“Siç dihet kryeministri Albin Kurti, tash e sa ditë, po qëndron në vizitë në Greqi, akt të cilin opozita e ka kritikuar si vizitë të stërzgjatur. 

Në fakt Kurti edhe vitin e kaluar, po në të njëjtën kohë, ka qëndruar në Simpoziumin që mbahet në Athinë të Greqisë, ku shpenzimet i kishte hequr vet organizatori i "Symi Simpoziumit"”, tha ai.

Krahas kësaj, Qarri tha se sjelljet e Kurtit duhet të jenë në sinkron me burrështetasit e vendeve tjera të botës, duke bërë që Kosova të përfaqësohet denjësisht.

“Ndonëse formalisht është njoftuar se shpenzimet për këtë vizitë nuk i mbulon shteti, Kurti është kryeministër dhe përfaqëson vendin në nivelin më të lartë, ndaj çdo veprim i tij, duhet të jetë në suaza të normales dhe në sinkron me sjelljet e burrështetasve të vendeve tjera në rajon dhe botë. 

Në anën tjetër, në Simpoziumin Ndërkombëtar, të njohur si "Symi", i cili mbahet në Greqi, marrin pjesë politikanë dhe personalitete të shquara nga mbarë bota, ndaj pjesëmarrja e kryeministrit të vendit tonë atje, është nderë edhe për Kosovën”, theksoi analisti.

Krahas kësaj, duke parë zhvillimet e fundit në botë dhe rajon, pas shpërthimi të luftës në Ukrainë, ky përfaqësim i Kurtit në këto simpoziume ishte më se i nevojshëm për Kosovën. 

“Sidomos në rrethanat më të reja gjeo-politike, kur vetëm për Kosovën ende nuk po gjen vend liberalizimi i vizave nga BE, edhe pas agresionit okupues të Rusisë mbi Ukrainë, është me shumë rëndësi përfaqësimi i saj më i lartë, në secilin takim rajonal me interes për shtetin tonë të ri, qoftë edhe në një simpozium si ky”, vlerësoi Qarri. 

Image
Gani Qarri

Në fund, analisti foli për mundësinë e lobimit të Kurtit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë.

Sipas tij, kryeministri duhet të mbështet pa dallim të partive politike, pasi kjo është një çështje shumë e rëndësishme shtetërore.

“Madje nëse z. Kurti ka sinjale të arrijë edhe intensifikimin e njohjes së Kosovës nga Greqia, përmes qëndrimit dhe lobimit personal, nga afër në këtë shtet me rëndësi të BE-së, atëherë akti i tij, do duhej mbështetur nga të gjithë dhe përkrahur e përshëndetur pa dallim partie dhe bindje politike, ngase çështja e shtetit, edhe për shqiptarët duhet të ketë gjithmonë prioritet”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat