Hiqen të gjitha barrikadat, policia kontrollon kufijtë

Aktuale

Hiqen të gjitha barrikadat, policia kontrollon kufijtë

Më: 1 gusht 2022 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 16:18 më 01.08.2022
Bllokimi i rrugëve në fshatin Zupç, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak, që lidh Kosovën dhe Serbinë. 1 gusht 2022.

Hiqen të gjitha barrikadat

Sipas situatës në terren, në magjistralen Mitrovicë – Leposaviq një kilometër pranë pikës kufitare në Jarinjë, të gjitha barrikadat janë larguar.

Po ashtu, barrikadat janë larguar edhe për në pikën kufitare në Bërnjak. Policia kufitare tani ka dalë në pika e kalimit në kufi.

Media ka mësuar se e gjitha kjo ka ardhur pas një vendimi të kryetarit të Listës Serbe, i cili iu ka thënë se duhet të tërhiqen.

Atje tani është situatë e qetë ka shumë pak lëvizje, pikat kufitare nuk janë hapur as për kalimin e makinave dhe këmbësorëve.

Largohen barrikadat edhe në Zupç

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë, të cilët gjenden në Zupç të Zubin Potokut, raportojnë se edhe në këtë fshat në veri të Kosovës ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada nga serbët lokalë.

Fshati Zupç gjendet në afërsi të magjistrales që çon në Bërnjak.

PDK: Qeveria nuk e planifikoi mirë vendimin për reciprocitet

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media kritikoi veprimet e Qeverisë së Kosovës sa i përket vendosjes së reciprocitetit me Serbinë lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Çitaku tha se “vendimi për veprim ka qenë i paplanifikuar mirë”.

Duke iu referuar vendimit të mëvonshëm të Qeverisë së Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit, Çitaku tha se Qeveria është treguar joserioze.

“Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të Qeverisë po krijon një përshtypje që veriu është i pamenaxhueshëm dhe situata atje është jashtë kontrollit të shtetit”, theksoi Çitaku.

Ajo, gjithashtu, tha se është e rëndësishme që Qeveria të shpjegojë se çfarë do të ndodhë tash e tutje.

Vulin: SHBA-ja të bindë Kosovën për një zgjidhje

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar më 1 gusht se “muaji i ardhshëm duhet të shfrytëzohet për marrëveshje dhe diplomaci”, teksa ka komentuar bllokadat e vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Vulin ka porositur serbët në Kosovë se “nuk duhet t’i besojnë Prishtinës dhe duhet t’i besojnë Serbisë së tyre dhe presidentit Aleksandar Vuçiq”.

Ai ka thënë se nuk pret asgjë nga Prishtina, por pret që Bashkimi Evropian – nën ndërmjetësimin e të cilit u arritën dy marrëveshje për formimin e Asociacionit – të formojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Unë pres që Shtetet e Bashkuara, që kanë treguar se kanë ndikim të madh në Kosovë, të vazhdojnë ta përdorin këtë ndikim për të mirë... të vazhdojnë ta përdorin ndikimin për ta bindur [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin që të arrijë një zgjidhje. Në thelb, kjo nuk është çështje mes Prishtinës dhe Beogradit, por është një çështje mes Beogradit e BE-së dhe shteteve që kanë ndikim në Kosovë.”, ka thënë Vulin.

"BE-ja po ndjek me 'shqetësim' ngjarjet në Kosovë"

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian(BE), Peter Stano, konfirmoi se institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.

Ai konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.

Haradinaj: Veprimet e lëna në gjysmë janë humbje për Kosovën

Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e Serbisë.

Haradinaj ka thënë më 1 gusht se “Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente”.

“Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar, po ashtu, se afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.

​Gjashtë qytetarë kërkuan trajtim mjeksor pasi u rrahën në Leposaviq e Jarinje

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje rreth sulmeve që ndodhën në veri të vendit ndaj disa qytetarëve, pas vendosjes së barrikadave nga serbët lokalë. Viktimat kanë raportuar se derisa kanë qenë duke lëvizur me veturën me targa të huaja në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi, janë sulmuar nga persona të dyshuar të cilët kishin vendosur barrikada.

‘Leshak, Leposaviq 31.07.2022-17:20. Tre viktimat , dy meshkuj dhe një femër kosovar/e, kanë raportuar se derisa kanë qenë duke lëvizur me veturën me targa të huaja në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi, janë sulmuar nga persona të dyshuar të cilët kishin vendosur barrikada. Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime.

Jarinjë 31.07.2022-15:30.Tre viktimat meshkuj kosovarë, kanë raportuar se derisa kanë qenë duke lëvizur me kamion me targa vendore në drejtim të kufirit Kosovë-Serbi, janë ndaluar nga persona të armatosur me ç ‘rast janë sulmuar edhe fizikisht. Viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, rasti nën hetime’, thuhet në njoftimin e policisë.

​Në veri vazhdon bllokada e serbëve

Barrikadat e vendosura gjatë sitës së djeshme në Rudare të Zveçanit dhe Vragë të Zubin Potokut nuk kanë lëvizur dhe vazhdojnë të qëndrojnë akoma.

Dhjetëra kamionë të vendosur në rrugë vazhdojnë t’i mbajnë rrugët për në kufirin e Jarinjës dhe Bërnjakut të bllokuara për automjete, ndërkohë që shihen qytetarët në këmbë duke kaluar kësaj rruge. 

Kosova mëngjesin e së hënës ka filluar reciprocitetin për letërnjoftime ndaj Serbisë. Qeveria e Kosovës është zotuar se ky vendim do të shtyhet deri më 1 shtator, mirëpo ka thënë se fillimisht duhet të largohen barrikadat në veri të Kosovës.

Pamje nga largimi i kamionëve

Këto pamje tregojnë kamionët që po largohen nga rruga në fshatin Rudarë. Serbët lokalë më 31 korrik vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikëkalimin e Jarinjës.

Nis heqja e barrikadave në Rudarë

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë të cilët gjenden në Rudarë, kanë njoftuar se ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.

Derisa minuta më parë nga mediat u bë e ditur që qytetarët serbë që po ia mësyjnë Kosovës përmes pikës kufitare në Merdare po vazhdojnë të pajisen me fletëdeklarime për hyrje-dalje në territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat