​Kufijtë në Jarinje dhe Bërnjak i kthehen normalitetit

Aktuale

​Kufijtë në Jarinje dhe Bërnjak i kthehen normalitetit

Më: 2 gusht 2022 Në ora: 13:22
Foto ilustrim

Gjithçka i është kthyer normalitetit në pikat kufitare të vendit që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Ato janë të hapura për qarkullim, ndërsa nuk ka kolona dhe nevojë për pritje të gjata nga të dyja anët e kufirit.

Qytetarët të cilët kalojnë me automjetet e tyre nëpër këta kufij shprehen të kënaqur duke thënë se gjithçka është në rregull dhe se nuk po presin gjatë.

Një qytetar me emrin Srecko nga qyteti i Rashkës të Serbisë, tha për KosovaPress se ka kaluar në kufi shkëlqyeshëm dhe nuk ka pritur gjatë. Ai shtoi se nuk ka pasur nevojë të plotësojë ndonjë dokument shtesë për hyrje në Kosovë.

Srecko: Nuk është dashur të plotësoj ndonjë formular

"Udhëtoj nga Rashka. Shkëlqyeshëm kam kaluar në kufi... Jo, s’jam vonuar dhe tani për tani nuk është dashur të plotësoj ndonjë formular" , ka thënë Srecko.

Edhe qytetari tjetër me emrin Zoran që po udhëtonte nga Serbia në Kosovë, u shpreh pothuajse ngjashëm, duke thënë se s’ka pasur asnjë problem gjatë kalimit në kufi.

Zoran: Nuk është dashur të plotësoj ndonjë formular

"Mirë kam kaluar në kufi dhe s’kam pasur problem. Jo, nuk është dashur të plotësoj ndonjë formular", tha ai.

Qytetari tjetër me emrin po ashtu Zoran, tha se ka kaluar kufirin pa problem.

Zoran: Në kufi kalova shumë mirë

"Jam nga Rashka, bukur kam kaluar në kufi. Kemi kaluar pa asnjë problem, udhëtoj për Leshak", theksoi Zoran.

Shabani, qytetar i komunitetit boshnjak nga Sijenica, tha se gjithçka ka qenë fantastike.

Shabani: Kam kaluar në mënyrë fantastike

"Kam kaluar në mënyrë fantastike. Asgjë nuk është dashur tjetër, përveç që i kam vënë letrat ngjitëse në targa. Udhëtoj për Prishtinë", sqaroi ai.

Ndryshe, qytetarët me shtetësi serbe të cilët hynë në Kosovë nga këto dy pika kufitare, nuk janë të obliguar të plotësojnë dokumentet për hyrje-dalje, pasi qeveria e Kosovës ka zhvendosur zbatimin e vendimit për reciprocitet rreth letërnjoftimeve për datën 1 shtator 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat