VOA/ Kosova me shkurtime të furnizimit me energji elektrike

Aktuale

VOA/ Kosova me shkurtime të furnizimit me energji elektrike

Më: 15 gusht 2022 Në ora: 16:30
Foto ilustrim

Qytetarët e Kosovës duket se nuk do të presin dimrin për t’u përballur me krizën e paralajmëruar energjetike.

Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), tha se nga mëngjesi i së hënës hyri në fuqi regjimi i ri i furnizimit sipas të cilit qytetarët do të kenë gjashtë orë drita të pasuara nga dy orë pa to.

KEDS-si tha se nga e hëna Kosova do të furnizohet vetëm nga prodhimi i brendshëm, “në pamundësi financiare për blerjen e energjisë nga jashtë, meqë çmimet në tregjet ndërkombëtare janë rritur shumë”.

Aktualisht termocentralet e Kosovës me qymyr linjit prodhojnë rreth 500 megavat energji elektrike ndërsa kërkesa arrin në rreth 800 syresh.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, zëdhënësi i kësaj kompanie, Viktor Buzhala, tha se nuk ka informacion për ndonjë afat kohor se sa do të zgjasë zbatimi i këtij vendimi.

KEDS-i dhe Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO), thanë se vitin e kaluar e kishin përmbyllur me mbi 46 milionë euro humbje për shkak të çmimeve të larta të energjisë në treg.

Ditë më parë autoritetet miratuan masa emergjente që përfshijnë edhe kursimin e energjisë elektrike, pjesa më e madhe e së cilës gjatë dimrit shpenzohet për ngrohje. Por, ekspertë të sistemit energjetik thonë se këto masa janë të dobishme por të pamjaftueshme për të përballuar situatën e krijuar.

Aktualisht në Kosovë rreth 95 për qind e energjisë prodhohet nga dy termocentrale të vjetra dhe vetëm rreth pesë për qind nga burimet e ripërtërishme si dielli, era apo uji./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat