Instituti që udhëhiqet nga Visar Ymeri: Ndalja e pagës për grevistët cenim i të drejtave të punëtorëve

Aktuale

Instituti që udhëhiqet nga Visar Ymeri: Ndalja e pagës për grevistët cenim i të drejtave të punëtorëve

Më: 26 gusht 2022 Në ora: 15:44
Visar Ymeri

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, ka reaguar lidhur me paralajmërimin e Qeverisë për t’ua ndalur pagat punëtorëve që i bashkohen grevës.

Përmes, një postimi në rrjetin social Facebook, nga ky institut kanë thënë se kjo që ka bërë Qeveria është cenim i drejtpërdrejt i të drejtës bazike që gëzojnë punëtorët – të drejtës në grevë.

Sipas tyre neni 18 që është përdorur si arsyetim për këtë kërcënim nënkupton saktësisht të kundërtën e intepretimit që po ia bënë qeveria.

“Pra, kërcënimi me mospagesë të rrogës për mësimdhënësit grevist është praktikisht suspendim arbitrar i paligjshëm i së drejtës që ata gëzojnë për të marrë pjesë në organizim sindikal dhe në grevë. Me këtë kërcënim qeveria po e krijon një mundësi jashtëzakonisht të rrezikshme të dëmtimit të madh të organizimit të punëtorëve”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

E drejta në grevë nuk mund të suspendohet!

Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’ua suspenduar pagesën e pagës punëtorëve grevist të arsimit është cenim i drejtpërdrejt i të drejtës bazike që gëzojnë punëtorët – të drejtës në grevë. Organizimi sindikal që ka sjellur historikisht e globalisht aq shumë avansim të të drejtave të punëtorëve e kushteve të punës, është një prej shtyllave të përparimit shoqëror e njëkohësisht garanti kryesor i trajtimit të barabartë në punë, e rrjedhimisht në shoqëri. E organizimi sindikal nuk ka kurrfarë kuptimi pa të drejtën e grevës.

Situata bëhet edhe më e rëndë kur një kërcënim i tillë vjen nga një qeveri e cila është votuar si qeveri progresiste që në thelb të zotimit të vet elektoral e ka pasur mirëqenien shoqërore dhe ka premtuar se do të angazhohet për shtresat e diskriminuara të shoqërisë. Por bëhet edhe më e rëndë kur një kërcënim i tillë bazohet në një keqlexim kaq të gabuar e dashakeq të Ligjit për Grevat.

Neni 18 që është përdorur si arsyetim për këtë kërcënim nënkupton saktësisht të kundërtën e intepretimit që po ia bënë qeveria. Pezullimi i detyrimeve kontraktuale i referohet të drejtës së punëtorit të mos paraqitet në vendin e punës kur është bërë pjesë e grevës së ligjshme. Ligji duhet lexuar në tërësi. Neni 13 i Ligjit ndalon rreptësisht ndërmarrjen e çfarëdo mase, qoftë ajo diciplinore ose materiale, kundër punëtorëve grevist, kundër organizatorëve të grevës, apo edhe kundër mbështetësve të grevës.

Përndryshe nuk do të kishte pasur logjikë që të kemi ligj që lejon grevën. Sepse nuk mund të ketë grevë në rast kur punëdhënësi ka të drejtë t’i ndëshkojë punëtorët që përfshihen në të. Pra, kërcënimi me mospagesë të rrogës për mësimdhënësit grevist është praktikisht suspendim arbitrar i paligjshëm i së drejtës që ata gëzojnë për të marrë pjesë në organizim sindikal dhe në grevë. Me këtë kërcënim qeveria po e krijon një mundësi jashtëzakonisht të rrezikshme të dëmtimit të madh të organizimit të punëtorëve. Sot po bëhet ndaj punëtorëve të sistemit arsimor. Por nëser mund të aplikohet ndaj secilit punëtor në sektorin publik e privat. Dhe kjo do ta vendos shtresën më të madhe dhe më produktive të shoqërisë, klasën punëtore, në një situatë të shtypjes e eksploatimit të egër arbitrar. Dhe këtë po e bën Qeveria e parë e social-demokrate në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat