“Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përpjekje për të mbuluar dështimin”

Aktuale

“Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përpjekje për të mbuluar dështimin”

Më: 24 shtator 2022 Në ora: 13:05
Foto ilustrim

Krijimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi nga opozita po konsiderohet përpjekje e Qeverisë për ta mbuluar dështimin në këtë sektor. Ndërsa, përfaqësuesit e profesionistëve shëndetësor por edhe të pacientëve, e kanë mirëpritur si iniciativë, por shprehen skeptikë për rezultatet që mund të tregojë ky komision në zgjedhjen e problemeve në shëndetësinë kosovare. 

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu konsideron se ideja për krijimin e këtij komisioni ka rrjedh si pasojë e mungesë së koordinimit të akterëve në sektorin e shëndetësisë.

Ai shprehet skeptik për rezultatet që mund t’i jap një komisioni i tillë. 

Sejdiu: Pres që të ndodhin përmirësime por edhe skeptik

“Mendoj se kushdo që e ka menduar këtë e ka parë defektin kryesor se nuk po realizohen edhe kërkesat e institucioneve dhe kërkesat e punëtorëve dhe reforma për shkak të moskoordinimit dhe nëse e shihni në përbërje i ka mbledh të gjithë akterët... Tani kemi një komision të njëjtë me pika fikse për realizimin e tyre a ka pas nevojë prapë them se nëse shohim se nuk ka funksionuar sistemin, unë mendoj se ka pas nevojë, unë të kisha qenë kryeministër i kisha shkarkuar të gjithë, sepse nuk e kanë kryer punën sepse nuk janë të gatshëm me krye punën. Pse një bord nuk e dëgjon ministrin, ata duhet të largohen, pse të jenë pjesë e asaj strukture. Nëse ka probleme brenda strukturave të ministrisë, atëherë njëri duhet me liruar rrugë. Pres që të ndodhin përmirësime por edhe skeptik”, tha Sejdiu.

Kurse, anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga PDK, Bekim Haxhiu thotë për KosovaPress, se krijimi i këtij komisioni është përpjekje e Qeverisë për ta mbuluar dështimin në sektorin e shëndetësisë.

Deputeti opozitar thekson se sektori i shëndetësisë po ballafaqohet me nepotizëm, korrupsion dhe politizim të skajshëm. 

Haxhiu: Përpjekje e Qeverisë për ta mbuluar dështimin në sektorin e shëndetësisë

“Është përpjekje e Qeverisë për ta mbuluar dështimin në sektorin e shëndetësisë. Po besoj që edhe ju jeni të informuar për gjendjen e rëndë në sektorin e shëndetësisë, qoftë për keqpërdorimet që po ndodhin aty, për klientelizmin e nepotizmin, korrupsionin dhe politizimin e skajshëm të sektorit të shëndetësisë, i cili ka rezultuar me pakënaqësi të madhe të profesionistëve shëndetësor të cilët po e braktisin çdo ditë e më shumë Kosovën të dëshpëruar për shkak të mungesë të mbështetjes nga Qeveria, për mungesë të mbështetjes për përmirësim të kushteve të punës dhe për rritjen e pagave për ta. Ky rezultat vjen si rezultat i pakënaqësive të mëdha dhe përpjekjeve me mbuluar dështimin e qeverisë së sektorin e shëndetësisë. Për afro dy vite të kësaj qeverie nuk kemi asnjë ligj që për shëndetësinë të miratohet që do të ndikonte në sadopak në një reformim në sistemin shëndetësor, asnjë hap drejt sigurimeve shëndetësore dhe krejt kjo ka rezultuar me një klientelizëm dhe keqpërdorime të mëdha në sektorin e shëndetësisë“, u shpreh Haxhiu.

Formimi i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi në kuadër të Zyrës së Kryeministrit nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë, po vlerësohet si shansi i fundit për ta këndell shëndetësinë kosovare. 

Kryetari i kësaj shoqate ,Besim Kodra theksoi se aq të thella janë problemet në shëndetësi sa që një ministër nuk mund t’i zgjidh ato. 

Kodra: Një ministër nuk mund t’i zgjidh sfidat në shëndetësi 

“Problemet në shëndetësi janë aq të thella sa që një ministri nuk mundet me i zgjedh e aq më tepër kur kemi një ministër i cili po vjen nga një shtet tjetër, i cili nuk është i njohur me realitetin vendor. Në parim e përshëndesim krijimin e një komisioni, megjithatë kemi edhe vërejtjet tona për ato objektivat që ky komision i ka marrë për t’i realizuar, për shkak se ne e shohim reformën në shëndetësi ndryshe nga kjo siç është parë nga ky komision. Ne konsiderojmë që ky komision do të jetë i hapur për të marrë ide edhe nga akterët e fushës në mënyrë që ndryshimet që do të ndodhin, do të ndodhin për të mirë, jo për siç ka ndodhë deri më tani. Ne konsiderojmë se mund të ketë impakt”, u shpreh Kodra.

Kodra konsideron se Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi është shansi i fundit për të ndryshuar diçka në këtë sektor. 

Kryetari i Shoqatë për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë thekson se duhet të bëhen ndryshimet në objektivat që ka paraparë t’i shqyrtojë ky komision qeveritar. 

Kodra: Po e shfrytëzojmë shansin e fundit për të ndryshuar diçka në shëndetësi 

“Ajo që ne besojmë është nëse një komision qeveritar nuk ka me dhënë efekt, nuk mund të kemi shpresa se diçka tjetër mund të jetë, po e shfrytëzojmë shansin e fundit për të ndryshuar diçka në sektor. Them kushtimisht nëse ky komision do të qëndroj i mbyllur dhe nuk do të jetë i hapur për ide që do të vijnë nga akterët e fushës dhe palët e interesit në këtë sektor, atëherë nuk mund të presim ndryshime të mëdha. Objektivat që ne i kemi parë aty duhet të ndryshohen sepse nuk janë të gjitha të implementueshme. Ka gjëra edhe më të mëdha që duhet të ndodhin në sektorin e shëndetësisë. I jepet më shumë rëndësi ndarjes së sektori publik dhe privat dhe në anën tjetër i jepet rëndësi edhe skemës së sigurimeve shëndetësore”, u shpreh Kodra.

Komisioni ekzekutiv për shëndetësi është krijuar në këtë muaj me propozim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. 

Tashmë ky komision ka mbajt edhe një mbledhje, ku edhe ka vendosur 6 objektiva: 1. Analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi;
2. Zhvillimi i sistemit informativ në shëndetësi për ta informatizuar në tërësi sistemin shëndetësor, në të gjitha nivelet (primar, sekondar, terciar) e sektorët (privat dhe publik)
3. Reformimi i ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale;
4. Zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punën universitare dhe shkencore;
5. Themelimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
6. Ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat