DW/ Rama: Dialogu Kosovë- Serbi, rruga e vetme drejt paqes

Aktuale

DW/ Rama: Dialogu Kosovë- Serbi, rruga e vetme drejt paqes

Më: 26 shtator 2022 Në ora: 09:23
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bën thirrje për dialogun Kosovë- Serbi dhe rishikimin e raportit të Dick Marty-t.

Në një fjalim të mbajtur në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se dialogu Kosovë- Serbi është rruga e vetme drejt paqes. Rama theksoi se "është koha që Kosova dhe Serbia të kapërcejnë ngërçin aktual në dialogun e tyre dhe të punojnë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, të mbështetur nga BE-ja dhe SHBA.”

"Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t'u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë”, tha ai.

Image
Edi Rama

Kryeministri Rama vuri në dukje që pavarësisht nga forcimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh dhe rajonal, "Shqipëria nuk do lëvizë nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të çdo vendi, përfshirë dhe Serbinë, që të njohë Republikën e Kosovës.”

Image
Rama dhe Vuçiq

Thirrje Këshillit të Europës të rishikojë raportin e Dick Marty-t

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e quajti në fjalën e tij në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së raportin Marty-t si "rastin më të keq të realitetit të shtrembëruar dhe manifestit për propagandën mbarëbotërore kundër pavarësisë së Kosovës”.

Në raportin në fjalë të përpiluar nga Dick Marty në vitin 2011, ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe raportues i këtij Këshilli, Ushtria Çlirimtare e Kosovës akuzohet për krimin e trafikimit të organeve.

Image
Dick Marty

Në korrik të këtij viti Parlamenti i Shqipërisë miratoi një rezolutë kundër akuzave për trafik organesh në Kosovë dhe Shqipëri gjatë luftës në Kosovë dhe i kërkoi Këshillit të Europës ta rishikojë raportin e Dick Marty.

"Ne mendojmë dhe shpresojmë që Asambleja e Këshillit të Europës do të nderojë të vërtetën dhe do të pranojë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një raport vijues, për të ndihmuar rivendosjen e besueshmërisë së një organizate kaq të rëndësishme ndërkombëtare. Shqipëria kurrë nuk do të heqë dorë nga kjo e vërtetë dhe kurrë nuk do ndalë së nderuari ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e tyre”, tha kryeministri Rama në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat