​PSD nis fushatën përmes së cilës prezanton programin “BAZË” të saj

Aktuale

​PSD nis fushatën përmes së cilës prezanton programin “BAZË” të saj

Më: 12 tetor 2022 Në ora: 13:05
Ilustrim

Partia Socialdemokrate nga sot ka nisur fushatën 1 mujore ku nëpër sheshe të ndryshme të Kosovës do të prezantoj programin e ri të quajtur “Bazë“, i cili përbëhet nga 5 shtylla kryesore.

Shtylla të cilat u prezantuan edhe sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë ishin zhvillimi i hershëm i fëmijëve, shëndetësi publike, pagë bazë për secilin qytetar, fondi i sigurimit social si dhe tatimi progresiv dhe taksat e mirëqenies.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj u shpreh se ky subjekt politik po rritet çdo ditë e më shumë.

Molliqaj: PSD po rritet çdo ditë

“Jemi subjekti që ka simpati shumë të madhe jashtëzakonisht të madhe e cila për çdo ditë po shndërrohet në strukturim dhe anëtarësim. Mund të them po ashtu me përgjegjësinë e madhe që jemi subjekti që ka më së shumti anëtarësime brenda ditës apo brenda javës. Prej krejt subjekteve të mëdha jemi shumë larg me ta, ama trendi është tjetër kah, trendi është që neve për çdo ditë na rritet anëtarësia”, u shpreh Molliqaj.

Ai para mediave propozoi edhe disa modele të tatimit duke shtuar taksat për ata që trashëgojnë pasuri, rritje të tatimit për korporata në 23% por edhe futjes në funksion të tatimit për dividendë.

Molliqaj: Propozojmë model tjetër të tatimit duke shtuar taksat në njërën anë

“Prandaj, ne kemi vendosur që të propozojmë një model tjetër të taksimit në njërën anë duke i shtuar taksat, dy taksa të cilat ne besojmë që janë të rëndësishme e para ka të bëjë me trashëgiminë. Ne besojmë që shteti me kalimin e kohë është dashur me zhduk hendekun mes atyre që trashëgojnë shumë dhe atyre që nuk trashëgojnë fare, në këtë kuptim e kemi vendosur taksën e trashëgimisë e cila secili që ka trashëgimi prej paraardhësve do të duhet të paguaj tatim në një shkallë progresive....Kjo bënë një rritje të kohezionit social dhe një zhdukje të hendekut të pabarazive. E dyta që është shumë e rëndësishme është taksa në dividendë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan, Evropë që nuk ka taksë në dividendë. Dividenda është shuma e parave që tërhiqet nga tregu dhe ekonomia. Taksa në dividendë do të jetë 33%. Pra do të duhej që nëse 100 milionë euro do të ishin dividendë të bankave në Kosovë do të duhej mesatarisht përafërsisht 33 milionë euro të ishin në shtetin e Kosovës me u shpërnda. Po ashtu mendojmë se duhet të rriten taksat në të ardhurat e korporatave. Nuk ka kuptim si një punëtorë, si një biznes i vogël, si një biznes i mesëm me pagu si një korporatë. Deri më tani ka qenë 10% ne do ta propozojmë të jetë 23%. Nuk po flasim me ua shtrëngua lakun bizneseve por po flasim me nda fitimin”, tha ai.

Kreu i PSD-së u shpreh se në programin e tyre “Bazë“ parashihet edhe rritja e tatimit në të ardhura për të gjithë ata që kanë pagë mbi 750 euro, si dhe Fondin e Sigurimit Social që rregullon pagesa për pushime të lehonisë, pensione por edhe familje që jetojnë nga skema sociale.

Molliqaj: Kemi propozuar edhe rritjen e tatimit në të ardhura dhe Fondin e Sigurimit Social

“Ne kemi propozuar po ashtu edhe përshkallëzimin edhe rritjen e tatimit në të ardhura. Propozimi ynë është ky që deri në shumën 750 euro ata marrin pagë në Kosovë do të paguajnë tatime më pagë, rrjedhimisht paga neto do të ishte më e madhe për ta, mbi 750 euro e tutje paga do të tatohej deri në 33 %....Kjo do ta bëjë një barazi më të madhe sepse ata që paguhen më pak do të marrin më shumë, ndërsa ata që paguhen më shumë do të japin më shumë. Fondi i Sigurimit social në Kosovë nëse të qet dikush nga puna nuk i ke as 6 muaj dhe as 1 vit që shteti të mban. Propozimi ynë është që nëse e humb punën 6 muaj 80% të pagës paguan Fondi i Sigurimit Social, po ashtu e kemi paraparë edhe pagesën e pushimit të lehonisë e cila do të duhej të ishte 2 javë qind për qind e pagës për dy prindërit, ndërsa 9 muaj për nënën e cila paguhet në shumën 500 euro si punoi si nuk punoi”, theksoi ai.

Molliqaj u shpreh se në këtë kohë krizash nuk është ndërhyrja e duhur ndihma me nga 100 euro në vit për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.

Molliqaj: Nuk është ndërhyrja e duhur duke ndihmuar pensionistët dhe familjet me asistencë njëherë në vit

“Jemi vazhdimisht në kriza një pjesë e qytetarëve janë nën minimumin jetik dhe besojmë që ishte dashur me pas parasysh që kjo është ndërhyrja e duhur, nuk besojmë që është ndërhyrja e duhur që pensionistëve t’ua japësh nga 100 euro në vit, nuk është ndërhyrje e duhur që familjeve me asistencë sociale 1 herë në vit t’ ua japësh 100 euro, ndërhyrja e duhur është që tu vendosësh bazën nën të cilët nuk bien në çfarëdo rrethane dhe ajo bazë duhet të jetë bazë e cila minimalisht e krijon mundësinë për jetesë“, theksoi ai.

Kurse, Donjeta Demolli anëtare e kryesisë në PSD tha se programi i kësaj partie synon që për secilin qytetar pa asnjë kusht të ofrohet paga universale bazë prej 60 eurosh.

Ndërsa, theksoi se për shkak të përqindjes së ulët të fëmijëve në çerdhe, propozojnë që të ndërtohen 700 çerdhe në Kosovë për të siguruar zhvillim të hershëm të fëmijëve.

Demolli: Propozojmë të ndërtohen 700 çerdhe

“Paga universale bazë e pakushtëzuar për secilin qytetar të Kosovës prej 60 eurosh në muaj që bie që një familje mesatare e Kosovës që është 5 anëtarëshe i merr rreth 300 euro në muaj. Kjo sepse ne besojmë se qytetari i Kosovës nuk është vetëm subjekt juridik, i cili regjistrohet në librin amëz, nuk është statistikë dhe numër është subjekt që duhet të trajtohet me të gjitha rrethanat e tij. Kosova sipas nesh duhet të ndërtoj edhe 700 çerdhe të reja dhe ky me qenë prioritet nacional. Infrastruktura e këtyre çerdheve mund të bëhet qoftë me kapacitete vetanake apo borxhit publik sepse borxhi publik dhe ky investim i shtetit të Kosovë është ndër më të sigurta”, tha Demolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat