Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kundërshtuar qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti kundër shtyrjes së afatit për targa.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme ka propozuar që të shtyhet deri më 31 dhjetor afati i Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Abazi, në një konferencë për media të premten, ka thënë se është e rëndësishme që të shtyhet afati për targa, në mënyrë që të “konsolidohet Procesi i Berlinit”.
“Propozoj që data për targat të bëhet 31 dhjetori. Në këtë formë, ua pamundësojmë kujtdo që të sabotojë procesin e Berlinit dhe ua pamundësojmë mundësinë që të ngritin tensione në veriun e Kosovës. Është tejet e rëndësishme që ne ta shtyjmë datën për targa deri më 31 dhjetor e t’i lëmë hapësirë procesit të Berlinit që të konsolidohet”, ka thënë ai.
Afati për riregjistrim të makinave në RKS ka nisur më 1 shtator dhe përfundon më 31 tetor.
Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati për riregjistrim nuk do të shtyhet dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.