Kushtetuesja hap dyert për qytetarët më 9 dhjetor

Aktuale

Kushtetuesja hap dyert për qytetarët më 9 dhjetor

Më: 6 dhjetor 2022 Në ora: 17:10
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese do të organizojë aktivitetin e radhës “Dita e Gjykatës së Hapur”, të premten, më 9 dhjetor 2022, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave  të Njeriut.

“Në këtë ditë, të gjithë qytetarët, e veçanërisht studentët e drejtësisë, përfaqësuesit e komunitetit juridik dhe vizitorët e tjerë, do të kenë mundësi që të vizitojnë objektin e Gjykatës Kushtetuese dhe të njihen më për së afërmi me Gjykatoren, me Bibliotekën dhe me ambientet në të cilat punojnë gjyqtarët dhe zyrtarët e Gjykatës, si dhe të informohen drejtpërsëdrejti përkitazi me historikun, me punën e deritanishme dhe me kompetencat kushtetuese të këtij institucioni”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas njoftimit organizimi i vizitës së qytetarëve të interesuar do të bëhet në përputhje me kapacitetet akomoduese që ofron ndërtesa e Gjykatës Kushtetuese dhe për grupe prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) personash në të njëjtën kohë. Vizitat do të organizohen çdo orë, ndërmjet orës 10:00 dhe 14:00, ndërsa kohëzgjatja maksimale e vizitës do të jetë dyzet e pesë minuta. 

Para vizitës në Gjykatë, të gjithë vizitorët e moshës mbi 16 vjeç duhet të kenë me vete dhe të dorëzojnë në recepcion një dokument zyrtar identiteti (kartë studentore, letërnjoftim apo pasaportë).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat