​Hovenier për personat me aftësi të kufizuar: Ti ndihmojmë personat me aftësi të posaçme që të jetojnë jetën me dinjitet

Aktuale

​Hovenier për personat me aftësi të kufizuar: Ti ndihmojmë personat me aftësi të posaçme që të jetojnë jetën me dinjitet

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 12:50
Kongresi Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Bashkë për gjithpërfshirje dhe prosperitet”

Nën patronatin e Ambasadores së Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala, nisë punimet Kongresi Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Bashkë për gjithpërfshirje dhe prosperitet”.

Ambasador i SHBA-ve në Kosovë, Jeffery Hovenier tha se kanë për qëllim t’i ndihmojnë personat me aftësi të kufizuar në Kosovë, derisa shtoi se duhet ta hedhet poshtë narrativa që ka qenë e pranishme që anashkalon personat me aftësi të kufizuar dhe jo duke i pranuar ata.

“SHBA me vite të tëra është përpjekur që të promovojë vlera të caktuara të diversitetit, mundësive të barabarta, mundësive dhe qasjes. Nuk mund të them se kemi qenë shumë të suksesshëm në arritjen e këtyre vlerave, por ato janë vlera të cilat i inspirojmë dhe janë masë me të cilën masën se si po ja dalim. Edhe ne e kemi këtë qëllim për t’i ndihmuar personat me aftësi të posaçme në Kosovë që të jetojnë jetën me dinjitet, të integruar plotësisht me të drejtat e barabarta në shoqëri. Është me rendësi se SHBA i nxit edhe qeveritë tjera për miratimin dhe është mirë që t’i kemi ligjet dhe të bëhet zbatimi i atyre ligjeve. Duhet ta hedhim poshtë narrativen që ka qenë kaq shumë kohë e pranishme që anashkalon personat duke i përjashtuar jo duke i pranuar të personave me aftësi të kufizuar, duam t’i promovojmë këto vlera në qasje përfshirëse

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala është shprehur e lumtur që pas një pune të gjatë ka arritur të sjell 31 delegacinoe nga e gjithë bota në këtë Kongres.

“Këtë herë kemi thyer çdo kufi për të sjellë hiç më pak se 31 delegacione nga të gjitha vendet e botës në Kosovë. Në cilësinë e ambasadores të vullnetit të mirë për Kosovën, në Komisionin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut, kam udhëtuar pothuajse në çdo cep të botës për të përçuar zërin e Kosovës, mesazhin e diplomacisë publike, mesazhin e të gjitha kategorive të margjinalizuara në vendin tonë pa dallim dhe jam e lumtur që në çdo vend jam pritur në mënyrën më të mirë duke shpjeguar historinë e Kosovës, e mbi të gjitha triumfin për të qenë shtet i pavarur dhe demokratik. Doja këtë vit që jo vetëm unë të isha pjesë e botës, por bota të ishte pjesë e Kosovës dhe t’i sjellim këto delegacione për t’i mbështetur personat me aftësi të kufizuara në vendin tonë. Ideja kryesore e gjithë këtij kongresi ka qenë që të marrim praktika të ndryshme nga vendet më të zhvilluara në botë për t’i sjellë në Kosovë dhe për t’ia mundësuar personave me aftësi të kufizuara një jetë me dinjitet. Më besoni që nuk lënë gurë pa lëvizur në arnën ndërkombëtare që kjo ngjarje të ndodhë”, tha Shala.

Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjucfa tha se kjo ngjarje është forma më e mirë për ta mbyllur këtë vit.

Konjufca tha se pavarësisht se ka ligje për këta persona, ato nuk zbatohen, derisa kërkoi zbatimin e tyre.

“Kjo ngjarje është forma më e mirë për ta mbyllur këtë vit, i cili është shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës. Sfidat e përditshme të personave me aftësi të kufizuara kërkojnë adresim dhe zgjidhje institucionale në shumë fusha, në fushën e të drejtave të tyre, qasshmërinë në infrastrukturë, barazi në edukim e punës. Kurse, një aspekt esencial për të cilin duhet të punojmë të gjithë së bashku është luftimi i stigmatizimit dhe paragjykimeve për personat me aftësi të kufizuara. Shumë shpesh na rastësisë të dëgjojmë të thuhet se Kosova ka ligje të mira por në praktik hasin në disa vështirësi për t’u zbatuar, në masë të madhe mendoj se ky konstatimi është i vërtetë, këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian, ndonëse në anën tjetër vlerësohet pozitivisht angazhimi ynë i përbashkët për avancimin e agjendës gjithëpërfshirëse për personat me aftësi të kufizuara. Punësimi i personave me aftësi të kufizuara si në institucionet publike e posaçërisht në ato private vazhdon të mbetet sfidë, përderisa qasja në tregun e punës për këta persona është e domosdoshme, jam i bindur se numri i të punësuarve nuk është në përputhje me ligjet që i kemi në fuqi”, tha Konjufca.

Derisa shtoi se në Kuvend janë në procedurë të shqyrtimit dy projektligje shumë të rëndësishme që i rregullojnë të drejtat dhe mundësitë e personave me aftësi të kufizuara .

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla-Schëarz ne emër të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili në pamundësi të merrte pjesë në Kongres pasi ndodhet jashtë vendit, përshëndeti gjithë të pranishmit.

Schwarz tha se në këtë aspekt nevojitet përkushtim i gjithë institucioneve. Ajo para të pranishmëve premtojë se përkushtimi në këtë fushë nuk do të dobësohet por do të vazhdojë të jetë shumë i fortë.

“Nevojitet jo vetëm përkushtimi i qeverisë, i komunave, shkollave e institucioneve tjera publike, por sigurisht se në secilin segment duhet shtohet më shumë përpjekje tona dhe një gjë i tillë duhet ta bëjmë. Është detyra jonë jo vetëm si qeveri por si shoqëri dhe Kosovë të bëjmë çdo gjë që mundemi për të ndihmuar ata që janë shtylla e garantimit të jetës në dinjitet dhe lumturi për çdo njeri që ka nevojë për kujdes të veçantë. Mund të premtojë se përkushtimi ynë në këtë fushë nuk do të dobësohet por do të vazhdojë të jetë shumë i fortë. Për të gjithë ata që ndihmojnë dua të ju them se mund të mbështeteni të kjo qeveri për të ju shoqëruar në këtë rrugëtim të rëndësishëm për të gjithë ne”, tha Schwarz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat