Prokuroria nis hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Aktuale

Prokuroria nis hetimet për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit

Më: 8 dhjetor 2022 Në ora: 16:05
Astrit Dehari

Pas raportimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, se janë zhdukur mostrat e Astrit Dehari nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, kanë nisur hetimet nga prokuroria.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka konfirmuar se kanë pranuar informacione për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe kanë filluar hetimet lidhur me rastin.

‘’Kemi pranuar raportin informues dhe kemi filluar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore”, ka thënë ai.

Të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të mbajtur për shtyp, deklaroi se janë zhdukur provat për rastin e vdekjes e Astrit Deharit.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit, mbrëmë në orët e vona jam njoftuar që janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga laboratori”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka theksuar se në hapësirën në të cilën ruhen mostrat kanë qasje vetëm tre persona.

“Ky akt është vërejtur dje gjatë bartjes së mostrave nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, por jam e bindur se ka qenë çështje kohe që ata që e kanë orkestruar do ta plasonin si një veprim dëmtues të procesit në tërësi”, është shprehur ajo.

Pas njoftimit të Haxhiut, deputetja e partisë më të madhe opozitare, PDK, Ganimete Musliu, ka kërkuar dorëheqjen e ministres.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat