Shoqëria civile dhe juristët kërkojnë zgjedhjen e kryeprokurorit

Aktuale

Shoqëria civile dhe juristët kërkojnë zgjedhjen e kryeprokurorit

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 09:39
Foto ilustrim

Që nga prilli, Kosova është me ushtrues detyre të kryeprokurorit të shtetit. Nga atëherë, presidentja nuk ka vendosur për kandidatin e propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit i ka kompetencat e plota. Megjithëkëtë, juristë dhe pjesëtarë nga shoqëria civile thonë se është e nevojshme përzgjedhja e kryeprokurorit të shtetit, pa vonesa.

Pas përfundimit të mandatit të ish-kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, këtë post po e ushtron Besim Kelmendi, ndonëse që nga prilli, Këshilli Prokurorial ka propozuar për kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Nga atëherë, presidentja Vjosa Osmani nuk ka vendosur për këtë propozim, me arsyetimet se ka dyshime për përzgjedhjen e kandidatit.

Në disa aktiviteteve të zhvilluara nga organizata të shoqërisë civile, në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, është theksuar si shqetësim niveli jo i kënaqshëm i luftimit të korrupsionit nga institucionet e drejtësisë, përfshirë prokurorinë. Në kuptim të forcimit të luftës anti-korrupsion, do të mund të ndikonte përzgjedhja e kryeprokurorit të ri të shtetit, thotë për Radio Kosovën Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit i ka të gjitha kompetencat për të vazhduar tutje. Mirëpo, në kuptim të ndërtimit të strategjive të caktuara që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, definitivisht se është e nevojshme përzgjedhja e kryeprokurorit të shtetit, pa vonesa. Sidoqoftë, rëndësia më e madhe është që emri i kryeprokurorit të shtetit të dalë nga një proces i cili nuk është i kontestuar”, tha Shala.

Mexhide Demolli-Nimani nga Lëvizja “Fol”, thotë se udhëheqja e organit më të lartë të akuzës me ushtrues detyre, është bërë e tepërt. Tutje, ajo thotë se pavarësisht arsyetimeve të dhëna, është koha që presidentja Osmani të ndërpresë zvarritjen e mos vendimmarrjes për kryeprokurorin.

“Presidentja duhet të marrë një vendim, qoftë me dekretim ose mos dekretim të kandidatit për kryeprokuror, i cili ka dalë nga një proces, për çka ne si monitorues, kemi pasur vërejtje të cilat i kemi adresuar dhe kemi kërkuar në fakt nga presidentja që të njëjtin mos ta dekretojë. Mirëpo, si do që të jetë, ajo duhet ta marrë një vendim, sepse nuk mund të zgjatet edhe më tutje ky proces dhe organin më të lartë të akuzës ta kemi me ushtrues detyre”, tha ajo.

Ditë më parë, shefja e shtetit ka thënë se nuk do të ngutet të marrë vendim për dekretimin e kryeprokurorit të shtetit, pasi sipas saj, është absurde të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat