Kurti për Veriun: Koordinohemi me ndërkombëtarët, por s’mund t’i trajtojmë si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre

Aktuale

Kurti për Veriun: Koordinohemi me ndërkombëtarët, por s’mund t’i trajtojmë si ministra e ne të bëhemi zëvendësit e tyre

Më: 9 dhjetor 2022 Në ora: 11:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për zhvillimet në veri, ku tensionet dhe incidentet e njëpasnjëshme po vazhdojnë tash e tri ditë.

Kryeministri foli  për kërkesën e ndërkombëtarëve për shtyerjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në Veri, kërkesë kjo që sot i erdhi edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Kurti tha se janë në vazhdimësi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë, për të cilët tha se edhe ata presin që shteti të jetë në nivel të detyrës.

“Vazhdimisht jemi në bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë, por duhet ta kuptojmë se edhe ata presin të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorë të Quintit, por ata nuk bëhen dot ministra. Bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të bëhet me mënyrën me të cilën ne i trajtojmë ata si ministra e ne bëhemi zëvendësit e tyre. Këtë nuk do e donin as ata. Ne po e luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kurrsesi serbët”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se Policia e Kosovës vetëm po e kryen detyrën e saj në atë pjesë të vendit, duke vendosur ligjshmërinë.

“Po zbatojnë dhe respektojnë dhe me shembullin e tyre po i nxisin edhe të tjerët të kenë vlerësimet e larta dhe respektin për kushtuetshmërinë, ligjshmërinë, republikën e demokracinë. Në veçanti për lirinë e të gjithë qytetarëve pa dallim. Policia asnjëherë nuk ndjekin, përndjekin ndokënd në baza etnike fetare e tjera, por vetëm sipas sjelljeve të tyre individuale apo grupore. Policia e Kosovës ka një konsideratë shtesë për serbët e Kosovës, pikërisht për shkak të keqinterpretimeve të ndryshme, që mund të bëhen nga fiqnji ynë verior. Ne kemi obligime që dalin nga Kushtetuta, ka edhe detyra për zyrtarët e shtetit. Presidentja cakton zgjedhjet. Nuk janë vendime e veprime politike, por shtetërore”, tha Kurti në seancën e Kuvendit.

Kryeministri akuzoi Beogradin për të cilin tha se vepron me një logjikë territoriale e qëllimin e ka hegjemonial.

“Natyrisht që unë plotësisht e njoh, mirënjoh të drejtën për kritikë ndaj Qeverisë, por duhet ta kuptoni se shumëçka që po ndodh është çështje e shtetit të Kosovës. Ne përpiqemi të jemi në nivelin tonë të detyrës dhe për këtë është mirë ta kemi edhe ndihmën e juaj edh me mbështetje publike e ide konkrete. Unë kurrë nuk i barazoj serbët, pavarësisht se çfarë bëjnë e thonë. Beogradi e ka kuptuar që nuk po mund ti ndajë serbët e shqiptarët në shpjegimin e situatës në Kosovë. Nuk po mund ta ndajë në shqiptarë dhe serbë siç duan ata. Logjika e tyre është territoriale, e qëllimi hegjemonial. Serbët në veri nuk po iu bashkëngjiten bandave. Është shumë e rëndësishme që e vërteta të jetë publike dhe ne të konfrontohemi me të gjithë ata që duan ta shtrembërojnë atë”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat