Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-Kosovës në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion

Aktuale

Chollet dhe Escobar: Si vendi më pro-Kosovës në botë, SHBA garanton popullin e Kosovës se Kushtetuta nuk cenohet me Asociacion

Më: 30 janar 2023 Në ora: 18:08
Chollet dhe Escobar

Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, i bënë thirrje Kosovës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke e siguruar atë se ky mekanizëm nuk e cenon Kushtetutën, sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj.

Dy zyrtarët e lartë amerikan kanë dhënë garanci të fuqishme se SHBA është në mbështetje të Kosovës dhe se Kushtetuta e saj nuk do të cenohet nga Asociacioni.

“Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj.  Si vendi më pro-kosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet”.

Ata thonë se Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Sipas tyre kjo garanci daton që nga Pakoja e Ahtisaarit.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit dhe i dërguari i Posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor thanë ndër të tjera se komunitetet tjera që jetojnë brenda komunave që përfshihen në këtë Asociacion do t’i kenë të gjitha të drejtat e garantuara.

Dy zyrtarët e lartë amerikan thanë se me themelimin e Asociacionit Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për të ardhmen e saj.

“Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet tutje në letrën e Chollet dhe Escobar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat