Deputetët marrin një vendim që lidhet me Trustin

Aktuale

Deputetët marrin një vendim që lidhet me Trustin

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 14:29 më 08.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi nuk e miraton raportin e Këshillit për Shërbimin Civil

Kuvendi i Kosovës, sot nuk e miratoi raportin vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021. Deputetët e partisë në pushtet votuan kundër këtij raporti, ndërsa ishin vetëm 3 vota për dhe 3 abstenime.

Raporti vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ishte shqyrtuar nga komisioni dy komisione, me ç’rast, ai për Buxhet rekomandoi miratimin e tij, ndërsa komisioni i Administratës Publike vlerësoi që i njëjti nuk duhet të miratohet.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Fitim Haziri tha se nuk e përkrahin këtë raport.

Haziri: Vetëvendosje nuk e miraton raportin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës

“Gjithashtu grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk do ta miratojë këtë raport, arsyeja e mosmiratimit të këtij raport i ka të bëjë me mosparaqitjen e informatave të duhura dhe përmbajtjesore në lidhje me atë se çfarë është paraqitur në këtë raport. Raporti është gjithsej 47 faqe ku 26 faqe prej tyre janë të mbushura me tabela sa që ta marrë mendja që je duke lexuar një raport statistikor e jo raport pune të njërit ndër këshillat më të rëndësishëm të shërbimit civil”, tha ai.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka dhënë mbështetje raportit dhe sipas tyre, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë presion politik mbi këtë Këshill.

Veliu: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka bërë punë të mirë pavarësisht presionit politik nga VV

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021 ka bërë një punë të mirë përkundër presionit të madh politik nga Lëvizja Vetëvendosje. Përkundër shkarkimit të atëhershëm duke shkelur Kushtetutën e Kosovës këshilli ka punuar shumë dhe ka realizuar planin e vet vjetor. Raporti i Këshillit është real me të dhëna të detajuara për çdo gjë duke prezantuar me tabela çdo ankesë e vendim”, tha deputeti i LDK-së.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku kritikoi partinë në pushtet që sipas tij, po degradon shërbyesit civilë.

Lushtaku: Pushteti po i degradon shërbyesit civil

“Po flasim për një metodologji që Vetëvendosja e ka sjell në Kuvend të Kosovës pikërisht për t’i degraduar shërbyesit civil, nëpunësit publik dhe këtë e kemi parë më së iri edhe me ligjin e pagave, me vlerën e koeficientit që në fund të ditës ka treguar që nuk i vlerëson, më shumë i vlerëson pozitat e ardhshme që do të vinë me ligjin që e kanë vetëvotuar, ligjin për zyrtar publik që do t’i zgjedhë pozitat e larta dhe është më shumë ligj për pozitat e larta që i akomodon militantët, sepse ligj që i promovon dhe mbështetë zyrtarët profesional. Së fundmi kemi parë edhe rekrutime fatkeqësisht edhe të grave të frizerave ku çdo ditë e më shumë me këtë qeverisje kemi shkelje flagrante ligjit të nëpunësve civil”, u shpreh ai.

Ndërkaq, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj u shpreh se mazhoranca nuk është e interesuar për raportin, por sipas tij, synon të shkatërrojë punën e bërë tash e 20 vjet.

Lekaj: Pushtetit i intereson të shkatërrojë punën e bërë që 20 vjet

“Ju e dini që edhe shkarkimi i anëtarëve të këtij agjencioni të pavarur, institucioni të pavarur që me të vërtetë ka bërë një punë shumë të madhe sa i përket mbrojtjes së shërbyesve civil, janë shkakruar në mënyrë jo kushtetuese sot i kemi dy qëndrime nga po e njëjta mazhorancë. Kjo mazhorancë, apo kësaj mazhorancë nuk po i intereson mbrojtja e shërbyesve civil, nuk po u interesojnë institucionet e pavarura që janë ndërtuar që 20 vite por po ju intereson të shkatërrojnë gjithçka që është ndërtuar që 20 vite dhe mendoj që kjo është e palogjikshme dhe e paarsyeshme dhe ne si AAK do ta përkrahim raportin në fjalë sepse mendoj që ja vlen të përkrahet”, tha Lekaj.

E kryetari i Komisionit për buxhet, Armend Muja që është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, u shpreh se miratimi i një raporti ku ka vetëm ekzekutim pagash nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në aspektin funksional.

Muja: Komisioni për buxhet nuk ka gjetur vërejtje në raportin e KPMShC

“Në një institucion si KPMShC ku 99% shpenzohet në rroga ne nuk kemi gjetë vërejtje dhe për këtë arsye e kemi miratuar. Por vërejtjet e njëjta në kuptimin funksional i kam edhe unë si deputet kështu që miratimi i një raporti ku ka vetëm ekzekutim rrogash nuk nënkupton domosdoshmërisht pajtim në aspektin funksional”, shtoi Muja.

Kuvendi s’miraton raportin vjetor të BQK-së

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, sot nuk e kanë miratuar raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Ky raport ka marrë vetëm nëntë vota për, ndërsa është kërkuar që të ketë edhe diskutim për të në Kuvend.

Hoti: Deputetët të japin vlerësimet e tyre mbi raporti ne BQK-së për gjendjen ekonomike dhe financiare në vend

“Në bazë të ligjit ky raport shqyrtohet nga komisioni për buxhet dhe i vjen seancës për informim dhe në seancë pritet të ketë diskutim nga deputetët për gjendjen ekonomike dhe financiare në vend dhe kaq, pra i vjen për informim seancës dhe pritet që pritet të japim vlerësimet e tyre mbi këtë raport për gjendjen ekonomike dhe financiare në vend”, ka thënë deputeti Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Në anën tjetër, Komisioni për Buxhet ka kërkuar që në kuadër të këtij raporti të jetë edhe guvernatori i BQK-së, por kryesia ka vlerësuar që kjo nuk është e nevojshme dhe i njëjti është hedhur në votim.

Konjufca: Nuk miratohet raporti vjetor i Bankës Qendrore të Kosovës

“66 deputetë morën pjesë në këtë votim, për ishin nëntë, kundër ishin 57, asnjë abstenim kështu që konstatoi që Kuvendi nuk e miratoi raportin vjetor të Bankës qendrore për vitin 2021”, ka thënë kryetari i Kuvendit.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, brenda gjashtë muajve pas mbylljes së vitit financiar e njëjta duhet ta dorëzojë në Kuvend një raport të miratuar nga bordi në lidhje me operacionet dhe punës së BQK-së gjatë gjithë vitit.

​Miratohet taksa vjetore investuese e Fondit të Kursimeve Pensionale

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar taksën vjetore intervistuese prej 0.32% dhe taksën operacionale prej 0.05% për vitin 2023 të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja derisa e ka arsyetuar rekomandimin e komisionit ka kërkuar nga deputetët që ta miratojnë.

Muja: Taksa operacionale për vitin 2023 do të jetë 0.05% e mjeteve

“Buxheti i miratuar nga trusti pensional për aktivitetet operacionale për vitin 2023 është 1 milion e 295 mijë euro, apo 31 mijë euro më pak se viti i kaluar. Taksa operacionale për vitin 2023 është propozuar të jetë në normën prej 0.05% mjeteve, një ulje kjo nga norma aktuale prej 0.57 të mjeteve. Buxheti i miratuar për aktivitetet investuese për vitin 2023 pritet të vihet në vlerën prej 8 milion e 227 mijë euro apo 0.32% të mjeteve”, ka thënë ai.

Në këtë seancë Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimet lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

​Deputetët mbajnë një minutë heshtje në nderim të viktimave në Turqi e Siri

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit i cili ka goditur Turqinë dhe Sirinë.

Si pasojë e tërmetit në Turqi e kanë humbur jetën mijëra persona.

Konjufca: Një minutë heshtje në nderim të viktimave në Turqi

"Këtë seancë ta fillojmë me një minutë heshtje për t’i nderuar viktimat të cilat humbën jetën në këtë termet... Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës ju shprehim ngushëllime familjeve të cilët i humbën më të dashurit të tyre, u prehshin në paqe të gjithë ata që ndërruan jetë”, ka thënë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. 

Kuvendi i vazhdon punimet, në rend pikat nga seancat e kaluara

Kuvendi i Kosovës, sot do të vazhdojë punimet me rendin e ditës me pikat e papërfunduar nga Seanca plenare.

Seanca do të filojë më votimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

Kurse pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 10, 24 nëntor, 8 dhe 15 dhjetor 2022 janë: Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023, shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021, dhe shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.

Ndërsa pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 dhjetor 2022 janë: Votimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Konfliktet Administrative, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Ekspertët Gjyqësor, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2021, shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2021 shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit vjetor të Statistikave të Kosovës për vitin 2021, shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për kontrollin e brendshëm të financave publike, shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë, shqyrtimi i Planit Kombëtar të Radio-frekuencave, formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar, zgjedhja e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, zgjedhja e një anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave dhe zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat