Krasniqi: Pa Adem Jasharin vështirë se do të kishte UÇK

Aktuale

Krasniqi: Pa Adem Jasharin vështirë se do të kishte UÇK

Më: 6 mars 2023 Në ora: 13:20
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se pa komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, vështirë se Kosova do të kishte një ushtri çlirimtare.

Sipas Krasniqit, sakrifica e familjes Jashari dhe marsi i lavdishëm i 98-s, i vunë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.

Krasniqi tha se sakrifica e Komandantit Legjendar frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore. Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, theksoi kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se Slobodan Milosheviqi ishte agresor që s’e kuptonte gjuhën e dialogut, të paqes e as të drejtësisë.

“Por, Serbia nën regjimin e Millosheviqit, ishte agresor që s’kuptonte as gjuhën e paqes, as të dialogut, e as të drejtësisë që natyrshëm i takonte vendit dhe popullit tonë. Për afër një dekadë, përkundër se pati një konsistencë nga brenda, pati një status-quo nga jashtë. Prandaj, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund asaj status-quoje”, theksoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat