Reuten: BE-ja ia vonoi shumë vizat Kosovës – radhën e ka statusi i kandidatit

Aktuale

Reuten: BE-ja ia vonoi shumë vizat Kosovës – radhën e ka statusi i kandidatit

Më: 30 mars 2023 Në ora: 20:32
Thijs Reuten

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka theksuar se dosja brenda PE-së për liberalizimin e vizave pritet të përfundojë brenda kësaj jave, më pas më 18 prill do të jetë votimi përfundimtar.

Eurodeputeti holandez pohoi se heqja e vizave është një moment historik i rëndësishëm në integrimin evropian të Kosovës.

“Ky udhëtim duhet të ishte shumë më i shkurtër. BE-ja e la Kosovën duke pritur shumë gjatë. Katër vjet pasi Kosova i përmbushi të gjitha kushtet, më në fund ne e mbajmë premtimin tonë. Që nga viti 2024, qytetarët e Kosovës më në fund mund të udhëtojnë drejt BE-së për pushime, vizita familjare dhe udhëtime biznesi pa pasur nevojë të aplikojnë për vizë. Kjo është më shumë se një barrë burokratike që largohet. Është një moment historik i rëndësishëm në integrimin evropian të Kosovës”, ka thënë Reuten.

Reuten është shprehur se procesi i dialogut Kosovë-Serbi çdo herë duhet të jetë i ndarë nga ai i vizave, dhe se nuk ka ndikuar në punën e bërë në liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se bashkë me kolegët e tjerë eurodeputetë që kanë punuar ndër vite për këtë proces kanë bërë një punë të rëndësishme.

Ndër tjera, ai ka shtuar se pas heqjes së vizave, Bashkimi Evropian kosovarëve duhet t’ua hapë rrugën edhe për t’u bërë shtet kandidat për BE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat