Bërnabiq ka falënderuar ministrin spanjoll për mosnjohjen e pavarësisë Kosovë

Aktuale

Bërnabiq ka falënderuar ministrin spanjoll për mosnjohjen e pavarësisë Kosovë

Më: 13 prill 2023 Në ora: 09:41
Ana Bërnabiq

Gjatë takimit me ministrin e jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq vetëm se përsëriti refrenet nga propaganda e urrejtjes ndaj Kosovës.

Bërnabiq, ka falënderuar ministrin spanjoll, për qëndrimin “parimor për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”, duke e “informuar” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe faktin se “pala tjetër nuk po i përmbush detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit”.

Edhe me këtë rast Bërnabiqi ka pretenduar se në Kosovë “ka sulme dhe ngacmime të pakicës serbe dhe përdhosje e trashëgimisë kulturore”.

Në dritën e kryesimit të Spanjës me Këshillin e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2023, kryeministrja falënderoi “për mbështetjen” në procesin e integrimit evropian të Serbisë, pretendohet në komunikatën e qeverisë serbe.

“Bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet politike të dy vendeve janë të shkëlqyera, se ato bazohen në themele solide dhe se përfaqësojnë një mbështetje të fortë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të tjera, me fokus të veçantë në ekonomi dhe tregti”, shtohet në komunikatë.

Albares do të nënshkruajë një memorandum mirëkuptimi me Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë gjatë turneut të tij në Evropën Juglindore, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian, shkruan portali spanjoll Sersa.

Portali spanjoll shkruan se ministri planifikon që gjatë udhëtimit të informohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja e Ohrit dhe zbatimi i saj, u tha se u hap rrugë shteteve që s`e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë. Theksi u vu posaçërisht te 5 shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk kanë lëvizur përpara në raport me njohjen e Kosovës.

RTK i ka pyetur Spanjën dhe Rumaninë për qëndrimet e tyre për njohje, pas dakordimit të Kosovës dhe Serbisë në Ohër.

Si shteti spanjoll, ashtu edhe ai rumun, thonë se e përkrahin dialogun dhe marrëveshjen e arritur, por nuk japin sinjale pozitive për njohje.

“Spanja ruan pozicionin e saj si mosnjohëse e deklaratës së njëanshme të pavarësisë, të miratuar nga Prishtina në vitin 2008, dhe mbështet fuqishëm një zgjidhje të pranueshme reciproke përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkruan në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës.

Pak a shumë, përgjigje të ngjashme jep edhe Rumania.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Rumanisë vlerëson rezultatet e arritura në Ohër më 18 mars ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilën e mbështet fuqishëm”, shkruan në përgjigjen zyrtare, Ministria e Punëve të Jashtme të Rumanisë.

Qëndrim të ngjashëm vazhdon të mbajë edhe Greqia. Presidentja e këtij shteti deklaroi në Beograd se nuk mendojnë ta njohin Kosovën.

Kryediplomatja kosovare, 5 vendet mosnjohëse i sheh pengesë në aspiratat integruese të vendit tonë.

“Jemi duke punuar shume, me partneret tanë, që 5 shtetet evropiane të cilat janë një pengese serioze, të lëvizin në procesin e njohjeve. Nuk është që nuk ka progres, janë tema për të

cilat progresi do të shihet në të ardhmen”, thotë Donika Gërvalla- ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, mendon se BE-ja si dorëzane e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të ushtrojë ndikimin te vendet mosnjohëse.

“Barra i bie Bashkimit Evropian sepse në këtë formë, BE-ja do ta tregonte autoritetin dhe fuqinë e vet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse në të kundërtën i bie që 5 vendet e BE-së po bëjnë me shumë politike ruse në Ballkan se vet Serbia”, thotë Dritëro Arifi- njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndihmë në sjellje të njohjeve të reja ka premtuar edhe aleati kryesor i Kosovës në fushën diplomatike, SHBA-ja. Vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë gjatë një raportimi në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, se pas marrëveshjes së Ohrit presin që Sllovakia, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Spanja të ndryshojnë qëndrim në raport me pavarësinë e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat