A do të betohen javën e ardhshme? Flasin kryetarët e zgjedhur të komunave veriore

Aktuale

A do të betohen javën e ardhshme? Flasin kryetarët e zgjedhur të komunave veriore

Më: 12 maj 2023 Në ora: 17:58
Ilustrim

Katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës, të cilët u zgjodhën nga zgjedhjet e 23 prillit ende nuk e dinë se kur do ta bëjnë betimin në pozitat e tyre të reja.

Ata thonë se kjo mund të ndodhë javën e ardhshme, por se nuk dihet ende data e saktë.

Emrat e katër kryetarëve të rinj dihen tash e dy javë, e rezultatet për ta janë certifikuar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Gjatë ditës së djeshme të njëjtit janë takuar edhe me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Krasniqi, sot për media ka deklaruar se janë dakorduar që në ditët në vijim individualisht t’i caktojnë të gjitha seancat me kryetarët e zgjedhur.

Kryetari i komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se janë në harmonizim të plotë me Qeverinë dhe ministrinë për të gjitha veprimet që do të merren.

“Jemi në harmonizim të plotë me gjitha faktorët relevantë me Qeverinë, ministrinë edhe ne si komuna lokale për veprimet dhe hapat që do të merren. Ene nuk ka ndonjë vendim se kur saktësisht se kur do të bëhet betimi”, është shprehur ai.

Ndërsa, kur është pyetur se pse ende nuk po bëhet betimi i tyre që është edhe hapi i parë për të nisur detyrën e re, Zeqiri, ka thënë se ende janë brenda afateve ligjore.

“Jemi brenda afateve ligjore dhe procedurave dhe gjithçka është në rregull, po shkojmë proceduralisht, pra jemi në punë e sipër”, ka shtuar Zeqiri.

Ndërsa, kryetari i zgjedhur në komunën e Zveçanit, Ilir Peci ka deklaruar se pritet që betimi të ndodhë javën e ardhshme.

“Pritet që sipas gjitha gjasave në javën e ardhshme që të ndodhë betimi, por dita ende nuk është vendos e po ashtu as objekti se ku do të mbahet ceremonia. Jemi në kontakt me ministrinë dhe presim përfundimisht në javën e ardhshme besoj që të do ndodhë betimi”, është shprehur Peci.

Media ka provuar të marrë përgjigje edhe nga kryetarët e tjerë që i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje, por ata nuk u janë përgjigjur thirrjeve telefonike.

Sipas ligjit për Vetëqeverisje Lokale Neni 57.1 thuhet se: “Kryetari që dështon ta japë betimin brenda një (1) muaji nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve e humbet mandatin.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të vendit janë mbajtur më 23 prill .

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok të parët kanë dalë kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetar i Leposaviqit është zgjedhur Lulzim Hetimi nga LVV-ja, më 73.3%, i Zubin Potokut Izmir Zeqiri më 52.2% nga PDK-ja, Ilir Peci në komunën e Zveçanit më 59%, po ashtu nga PDK-ja dhe në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq nga LVV-ja, më 66.95.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat