Iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj, mbrojtja e Nagip Krasniqit i drejtohet Apelit

Aktuale

Iu vazhdua paraburgimi edhe për dy muaj, mbrojtja e Nagip Krasniqit i drejtohet Apelit

Më: 22 maj 2023 Në ora: 11:39
Nagip Krasniqi

Gjykata e Prishtinës ka vendosur të dielën që kryeshefit tashmë të suspenduar të KEK-ut, Nagip Krasniqit t’i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj tjerë.

Lidhur më vazhdimin e paraburgimit, mbrojtja ka dorëzuar ankesë në Gjykatën e Apelit menjëherë pas marrjes së vendimit.

Sipas mbrojtjes së Krasniqit, ka mbetur si arsye vetëm rreziku i ndikimit në dëshmitarë.

“Shpresojmë që gjykata këtë radhë do ta pranojë ankesën dhe ta lirojë Nagip Krasniqin, ngase Prokuroria ka pasur më shumë se një muaj kohë t’i marrë në pyetje ata dëshmitarë”, tha për Kallxo.com, avokati i Krasniqit, Tomë Gashi.

Më 20 prill të këtij viti, Nagip Krasniqit i ishte caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Caktimin e masës së paraburgimit e kishin çuar deri në Supreme mbrojtja e Krasniqit, duke e konsideruar se sigurimi e klientit të tyre në procedurë mund të arrihej edhe me caktimin e ndonjë mase më të butë.

Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë si të pabazuara pretendimet e mbrojtjes, duke i vlerësuar si të drejta dhe të ligjshme vendimet për masën e paraburgimit edhe nga Themelorja, edhe Apeli.

Sipas Supremes me gjetjen në liri të akuzuarit, ekziston rreziku i asgjësimit, fshehjes apo ndryshimit të provave të veprave penale, duke ndikuar në dëshmitarët të cilët kanë njohuri lidhur me rastin si A. Sh., Y. D., R. B., S. I., E. T., etj.

Të njëjtit nuk janë dëgjuar ende nga ana e Prokurorisë.

Po ashtu theksohet se shumica e dëshmitarëve njihen ngase punojnë në të njëjtin vend të punës. Supremja ka vlerësuar se po të lihej në liri i pandehuri Nagip Krasniqi do të mund të ndikonte tek këta dëshmitarë pasi njihen mes vete dhe se ekziston rreziku i koordinimit të deklaratave të tyre në favor të mbrojtjes.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprat penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; ushtrimi i ndikimit, dhe konflikti i interesit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Krasniqi më 26 janar 2023, kishte lidhur kontratë të dëmshme në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik duke shkelur nenin 7, nenin 35 par.3, nenin 35 par. 2.1(iii), dhe nenin 57 par.2 të këtij ligji, ashtu që duke vepruar me tenderin KEK-23-130-5-1-5, i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kaldajës blloku A5 ”, me procedurë të negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, ka lidhur kontratë me kompaninë Litëin SA, me çmim prej 3.,495,392.42 euro, duke ndryshuar kushtet e veçanta të kontratës.

Dosja e Prokurorisë tutje thekson se i dyshuari Nagip Krasniqi “Duke qenë në dijeni se operatori ekonomik ka interes financiar, pas nënshkrimit të kontratës me të me procedurë të negociuar, përfaqësuesit e saj respektivisht I. Z.., e ka angazhuar në cilësi të mbrojtësit për veti gjatë disa procedurave hetimore, e të cilat procedura nga ana e organeve të ndjekjes zhvilloheshin për çështje të dyshuara pikërisht të ndërlidhura me KEK-un”.

Sipas dosjes së Apelit, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit sepse po te gjendet në liri i pandehuri, do të mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, për faktin e ndikimit në dëshmitarët të cilët kanë njohuri lidhur me ngjarjen si A. Sh., Y. D., R. B., S. I., E. T., etj., në dëshminë e të cilëve ekziston rreziku që të ndikohet lehtë për faktin se shumica prej tyre janë vartësit e tij, pasi që të njëjtit nuk janë dëgjuar nga ana e Prokurorisë.

Sipas kësaj gjykate ekziston rreziku që i pandehuri po të gjendet në liri do të pengojnë në rrjedhën normale të procedurës penale që është duke u zhvilluar lidhure me këtë rast penal.

Më 25 prill, Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat