Kasami: Kidnapimi i policëve të Kosovës, akt luftënxitës i Serbisë

Aktuale

Kasami: Kidnapimi i policëve të Kosovës, akt luftënxitës i Serbisë

Më: 15 qershor 2023 Në ora: 10:52
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ka reaguar në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Kasami në një postim në Facebook shkruan se ky është një akt i pashembullt i agresionit nga ana Serbisë mbi integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Ky kidnapim është akt i shëmtuar luftënxitës i Serbisë, e cila vazhdon të provokojë dhe rrezikojë me destabilitet gjithë rajonin, në kohën kur gjithë bashkësia ndërkombëtare angazhohet për një proces paqeje dhe integrimi. Aktet e këtilla janë në kundërshtim me angazhimet për paqe të faktorit ndërkombëtar dhe minojnë dialogun si vlerë demokratike. Nuk është hera e parë që Serbia kërcënon me agresione të këtilla që shkojnë kundër idesë së normalizimit të gjendjes në rajon përgjithësisht”.

“Shprehim solidaritetin dhe përkrahjen tonë të parezervë ndaj institucioneve të Kosovës dhe në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje faktorit ndërkombëtar që të bëjë presionin e duhur mbi Serbinë që të lirojë pjesëtarët e policisë së Kosovës. Gjithashtu ftojmë gjithë bashkësinë ndërkombëtare demokratike të dënojë këtë akt agresioni mbi një shtet të pavarur për të mbrojtur parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial”, ka shkruar Kasami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat