Pal milioneri shprehet i shqetësuar: Deklarata e Escobarit është alarm për Kosovën

Aktuale

Pal milioneri shprehet i shqetësuar: Deklarata e Escobarit është alarm për Kosovën

Më: 21 shtator 2023 Në ora: 17:43
Pal Lekaj

Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, e ka quajtur alarmuese deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili, teksa foli për qasjen e Kryeministrit Albin Kurti ndaj ndërmjetësit Mirosllav Lajçak, tha se “një vend prej një milion e gjysëm s’mund ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij”.

Sipas Lekajt, deklarata e emisarit amerikan duhet të merret seriozisht derisa shtoi edhe se nuk mund të përkrahet një kryeministër i cili po u del kundër miqve të Kosovës.

“Kjo është një alarm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës dhe duhet të merret seriozisht që ne nuk mund të ndërrojmë politikat e SHBA dhe BE, jo pse jemi vend i vogël, përkrahet qëndrimi i drejtë i çdo kryeministri por nuk përkrahin kryeministrin tonë që është në krah të kundërt me miqtë tanë pa dëmtuar Kosovën”, ka deklaruar Lekaj.

Lekaj ka thënë se nga Kurti duhet kërkuar të jetë më serioz sa i përket koordinimit me faktorin ndërkombëtar. Sipas Lekajt, Kryeministri po rrezikon Kosovën me kokëfortësinë e tij.

“Sa i përket Kosovës është synim të anëtarësohet në NATO dhe BE dhe të kemi njohje nga 5-shja evropiane që po heziton. Mirëpo paraprakisht duhet kuptuar drejt dhe qortimet e SHBA dhe BE për rrugën që kemi nisur dhe për ngecjen që kemi në dialog. Ajo që them është se duhet që kryeministri i Kosovës të jetë më serioz sa i përket koordinimit me faktorin ndërkombëtar dhe rëndësisë së dialogut me Serbinë, që t’i trajtojë temat ashtu siç duhet dhe të mos largohet nga miqtë tanë që janë pjesë e suksesit të shtetit të Kosovës”.

“Por ja që jemi një kryeministër kokëfortë në qëndrimet e veta. Ajo që mund të theksoj është se nëse kjo kokëfortësi do të shkonte me zgjidhje të çështjes dhe forcimit të Kosovës nga aleatët dhe shtrirjes së sovranitetit mendoj se kishte qenë në rregull por qëndrimet e Kurtit nuk janë të tilla. Dialogu po shkon në qorrsokak”, ka thënë tutje ai.

Pal Lekaj ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili tha se se pavarësia e Kosovës nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh nga vendet e tjera.

“T’ju tregoj shembullin e Ballkanit Perëndimor, ata që kanë parë luftën si rrugë për arritjen e objektivave të tyre, në fakt janë penduar. Rusia dhe të tjerë janë përpjekur ta keqpërdorin lindjen e republikës së Kosovës, për të justifikuar ëndrrat e tyre neoimperiale. Pavarësia e Kosovës që është sanksionuar nga Gjykata ndërkombëtare Penale, e cila nuk mund të shërbejë si pretekst për rrëmbim territoresh”, deklaroi dje Rama.

Lekaj e ka vlerësuar këtë qëndrim të kryeministrit shqiptar, njësoj siç tha se i është gëzuar edhe faktit që Shqipëria po e zë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Kjo, nisur nga fakti që Edi Rama e kryesoi mbledhjen e së mërkurës në Këshillin e Sigurimit në OKB.

“Sa i përket seancës të Këshillit të Sigurimit, mendoj që është mirë që të ketë sesion që ka udhëhequr kryeministri i Shqipërisë dhe duhet t’i gëzohemi një fakti që më në fund Shqipëria po zë vendin e merituar në arenën ndërkombëtaren në gjeopolitikë dhe duhet të na vijë mirë. Mendoj se qëndrimet kanë qenë të favorshme për Kosovën por dhe për demokracinë dhe qëndrimet për luftën në Ukrainë, duke filluar nga zyrtarë të lartë të BE dhe me theks të veçantë nga SHBA, që janë tempulli i demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve në përgjithësi në botë”, theksoi Lekaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat