Refuzimi i Kurtit për t’iu përgjigjur deputetëve, Hoti: U cenua rendi kushtetues

Aktuale

Refuzimi i Kurtit për t’iu përgjigjur deputetëve, Hoti: U cenua rendi kushtetues

Më: 6 tetor 2023 Në ora: 18:08
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili tha se nuk do t’u përgjigjet pyetjeve parlamentare të deputetëve që nuk janë duke i votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hoti, refuzimin e Kurtit, dhe anëtarëve të tjerë të qeverisë për t’iu përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve e ka konsideruar si “cenim i rendit kushtetues”.

“E vërtetë është se një pjesë e opozitës, pa e përfshirë LDK-në, nuk po i voton këto marrëveshje, por kjo nuk i jep të drejtë Qeverisë të shantazhojë deputetët”, shkroi.

Përgjegjësinë politike, pohoi Hoti, “e marrin ato grupe parlamentare dhe deputetë që nuk po votojnë”.

“Por, askush nuk mund të detyrojë e shantazhojë ata se si të sillen në Kuvend. Mandati i deputetit është i lirë dhe i pakushtëzuar”.

Tutje, ish-kryeministri i Kosovës thekson se “fatkeqësisht”, ky veprim është “sulm” ndaj ndarjes së pushteteve dhe “hierarkisë kushtetuese të institucioneve”.

“Ky lloj shantazhi ndaj deputetëve është diktaturë hibride në sisteme demokratike”, shtoi. “Është fatkeqe për demokracinë tonë që përjetojmë situata të tilla, ku deputetët e mazhorancës bëhen pjesë e kësaj maskarade parlamentare”.

Në anën tjetër, për Hotin, Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, “nuk po e kryen detyrën e tij” për të siguruar mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit dhe sjelljen kushtetuese të anëtarëve të Qeverisë në seancat parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat