“Engjëll kurrkush nuk jemi, le të shkon në shpi”/ Halitjaha i gatshëm ta mbajë burgun për Jakup Krasniqin

Aktuale

“Engjëll kurrkush nuk jemi, le të shkon në shpi”/ Halitjaha i gatshëm ta mbajë burgun për Jakup Krasniqin

Më: 15 nëntor 2023 Në ora: 08:21 Përditësuar në ora: 21:21 më 15.11.2023
Sadik Halitjaha

Halitjaha thotë se gjatë kohës së luftës s’ka pas Gjykatë, mirëpo ka pasur plane për krijimin e saj

Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka thënë se gjatë kohës së luftës nuk ka pas gjykatë, mirëpo ka qenë e planifikuar që të krijohet.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Kadri Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson, Halitjaha tha se po të zgjaste lufta do të ndodhte një gjë e tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk ka pas gjykatë të shkallës së dytë e as të parë. E dëshirueshme ka qenë, është kërku që të bëhet, të ofrohen jurist, të bëhen njerëz profesional, të bëhen lokale, të vazhdohet. Po të zgjaste lufta edhe 2 vjet 3 jam i bindur që do të kishte ndodhur por edhe më shpejt, por që nuk kemi pas, nuk i kemi pas”, tha Halitjaha.

Dëshmitari Halitjaha tha se ka qenë në plan që të formohet edhe akademi ushtarake në nivel qendror si dhe udhëheqës i këtij plani ishte caktuar “Komandat Drini”.

“Ka qenë e planit të formohet një akademi ushtarake e nivelit qendror dhe Drini është caktu drejtor i asaj akademie, apo komandant i asaj akademie. Deri sa ne kemi bërë disa ushtrime edhe më herët, e kemi fol edhe në seancën tjetër është mëndu që të bëhet një akademi për ushtrimin e ushtarëve dhe oficerëve, është mëndu se nuk ka pas deri atëherë”, tha Halitjaha.

Halitjaha foli edhe për strukturat organizative dhe për personat të cilët u zëvendësuan në Shtabin e Përgjithshëm pasi disa individ kaluan në institucionet e Qeverisë së përkohshme të atëhershme të Kosovës.

“(Bislim Zyrapi) Është zëvendësu me 17 prill, Agim Ceku është emri Shef i Shtabit të UCK-së. “Agim Ceku u bë shef i Shtabit ndërsa Sylejman Selimi më vonë u caktu shef i gradës. Ka pas ndryshime, ka pas lëvizje. Fatmiri e di që është ba zëvendësministër i Mbrojtjes, jo Bislimi. Bislimi e di që është kthy për me e organizu shigjetën”, tha Halitaj.

Sipas Emmerson, në librin e Halitajt thuhej se Azem Syla përshkruhej si komandant i përgjithshëm mirëpo pas këtyre rikunstrokturimeve në shtab, ai u bë Ministër i Mbrojtjes në formacionin e ri të Qeverisë së Përkohshme. Sipas kësaj, pozita e Sylës ishte e veçantë nga Shtabi i Përgjithshëm.

Duke folur për fillimet e UÇK-së, Halitjaha tha se nuk pranon që të quhej organizatë UÇK-ja, ndërsa pohoi se në fillimet e saj UÇK-ja ka qenë e strukturuar si ‘xhepa-xhepa’ ushtarësh pasi kishte persona që merrnin vetë role si komandant lokal.

Halitjaha tha se pas strukturimit të UÇK-së, vetëm Zona Operative e Pashtrikut ka pasur rreth 10 mijë ushtarë.

Sadik Halitjahaj në mesin e disa dokumenteve iu preznatua edhe një dokument për të cilin avokati Emmerson tha se mban mbishkrimin “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, rregullorja disiplinore, Prishtinë 1998”.

Halitjaha tha se nuk ka pas rregullore Shtabi i Përgjithshme dhe se këtë dokument e kanë bërë në Zonën Operative në Pashtrik.

“Nuk ka pas rregullore Shtabi i Përgjithshme. Këto i kemi bërë ne në Zonën Operative të Pashtrikut, tri i kemi pas ne”, tha Halitjaha i cili tha se për këtë dokument nuk mund të hekte dorë se nuk është krijuar në Zonën Operative të Pashtrikut.

Halitjaha thotë se ata kanë krijuar tri rregullore; Rregullorja disiplinore, rreshtore, dhe rregullore e objekteve me rendësi të veçantë dhe policisë.

Ndërsa, për rregulloren e prezantuar nga Emmerson, Halitjaha tha se iu është dorëzu edhe shtabit të përgjithshëm për të cilën nuk e di nëse e ka marrë dikush ose jo.

Në fund të kësaj seance u pranuan disa prova materiale me kërkesën e mbrojtjes së Rexhep Selimit përmes avokatit Geoffrey Roberts dhe mbrojtja e Hashim Thacit përmes avokatit, Gregory Keohe.

Ndërsa, për një çështje të caktuar, avokati Ben Emmerson kërkoi që të diskutohet në seancë private gjë e cila u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Ndryshe, dëshmitari Sadik Halitjaha, dëshminë e tij do të vazhdojë edhe ditën e nesërme duke filluar nga ora 09:00 me 45 minuta vonesë në transmetim.

Sadik Halitjaha thotë se ushtarët në Shtabin e Përgjithshëm nuk kanë qenë të rregullt

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij duke folur për mënyrën e organizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) tha se luftëtaret në Shtabin e Përgjithshëm nuk kanë qenë të rregullt.

Halitjaha tha se ata më shumë i ka udhëhequr ideali për liri dhe besimi i madh tek udhëheqësi politik, Adem Demaçi.

“Ne më shumë na ka udhëheq, unë më shumë po flas për vete ideali për liri dhe besimi i madh tek udhëheqësi politik Adem Demaçi sesa tek këta luftëtarët që kanë qenë në Shtab të Përgjithshëm që realisht unë nuk mund ta quaj fiktiv se kanë qenë, por nuk kanë qenë të rregullt. Kjo është argumenti im”, tha Halitjaha.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ben Emmerson, Halitjaha tha se nuk e din sigurt se kur ishte formuar Shërbimi Informativ i Kosovës që ndryshe quhej me shkurtesën “ShIK”.

“Nuk e di kur është formu SHIK-u. Deri sa ka qenë me 12 qershor 200 % i bindur se vetëm ZKZ-ja ka qenë, ma anej se di”, tha Halitjaha.

Halitjaha thotë se me porosinë e Kadri Veselit avokati Emmerson e quajti të shantazhuar.

Halitjaha thotë se me porosinë e Kadri Veselit avokati Emmerson e quajti të shantazhuar

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) dëshmitari Sadik Halitjaha tha se me porosinë e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson e ka quajtur të shantazhuar. 

“Zoti Emmerson ka bërë një digresion kundër meje, si duket me ndikimin e Kadri Veselit, se ashtu erdhi ajo asistentja me një letër, ka thënë se unë jam i shantazhum se pasna pas dhanë një urdhër diku se me u vra një burrë e dy gra dhe koka anku se pse unë nuk kam avokat. Kisha dasht shkurt që të iu drejtohem kryetar i gjykatës e jo avokatit se ajo për mua ishte një thikë pas shpine, ai duhet ta sqaroj drejtë dhe të jetë fer dhe jo të jep goditje poshtë brezit. Të jetë le ta tregoj se ku është urdhri, ku e ka pa, ku e ka ni dhe ku eka atë kopje të urdherin”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se nuk mundet askush ta shantazhojnë atë dhe asnjëherë nuk ka qenë i shantazhuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk duhet të me thotë i shantazhum se kurrë në jetë nuk qenë i shantazhumë. Nuk ka forcë në këtë botë që me shantazhin, mund të me vrasin dhe të me burgosin, por të me ligin dhe me shantazhojnë le ta harron Emmersoni dhe Kadria që e porositi me thanë ashtu”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se në këtë seancë gjyqësore, pa praninë e tij është thënë se ky dëshmitar është pa relevancë.

“Mua nuk po me ngutet, nuk po me ik autobusi. Unë e di që duhet sqaruar këto gjëra mirë dhe duhet thënë e vërteta dhe nuk duhet ta prishni dinamizmin e punës që keni marrë përsipër cka do të iu tham unë është se mua nuk po me pengojnë pyetjet…Kur me keni nxjerr jashtë për mos me degju unë se çka po flitet këtu në sallë është shtru kjo çështje. Është thanë se ky dëshmitar është i pa relevancë”, tha Sadik Halitjaha.

Pas insistimit të kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmitari tha se kjo çështje është ngritur nga mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.

“Sepse kjo është gjykim publik dhe dëgjohet publikisht edhe jashtë kësaj gjykate. Këtë cështje e ka ngritë avokati Emmerson. Ju i keni edhe incizimet zoti kryetar mos të bëhemi tani sikur nuk po e dini edhe ju. Mjaftë jam i lendum prej asaj se pse duhet ta thoshte edhe pse të më shpallte si jorelevant i kushtëuzuar nga gjykata dhe prokuroria unë këtu. Nëse me ka kushtëzuar dikush këtu jeni ju këtu dhe prokurorja. Prokuroria ka reagu dhe ka thënë për avokat e kam pyet tri herë e nuk ka dashtë”, tha Halitjaha.

Sadik Halitjaha tha se e ka incizimin e sallës ku është diskutuar kjo çështje dhe se këtë gjë ia kishte dërguar një familjar i tij, për të cilin tha se nuk do e tregoj identitetin e tij.

“Një familjar i jem, nuk ua tregoj se kush me ka thënë. E kam edhe incizimin. E kam incizimin e sallës dhe nuk duhet të bëhemi sikur nuk ka ndodhur kurrgjë. Për me fol me thikë prapa shpinës nuk duroj. Folim haptas nuk po fshihem prej kërkujt’, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë, reagoi edhe avokati Ben Emmerson i cili tha se ka mundur që të ik ndonjë gjë gjatë përkthimit.

“Meqë kuptoj, nga ajo se çfarë tha dëshmitari është që na shpjegoi ose i është thënë nga dikush se çfarë ka ndodhur  në diskutimin që nuk ka qenë i pranishëm dëshmitari. Mund të ndodhë që ka humbur edhe gjatë përkthimi”, tha Emmerson.

Ndryshe, kryetari i trupit gjykues, Smith III urdhëroi që të vazhdojë seanca dhe pastaj që të sigurohet që dëshmitari të flas me dikë nga gjykata lidhur me këtë çështje.

“Le të vazhdojmë dhe pastaj të sigurohemi që dëshmitarit të jepet mundësia që të flas me dikë nga gjykata pa praninë e palëve apo personave që janë këtu në gjykatë”, tha Smith III.

Pyetjet për dëshmitarin Sadik Halitjaha ka filluar që t’i parashtroj mbrojtja e Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.

Ndryshe, në seancën e së hënës kur filloi dëshminë dëshmitari Halitjaha, Emmerson ka thënë se ky dëshmitar është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, e të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Në parashtrimin e tij, Emmerson tha se gjatë marrjes në pyetje ky dëshmitar mund të japë informacione të cilat mund të jenë vetëinkriminuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sikurse mund të dini i nderuar gjykatës, ky dëshmitar citohet si atë në Amerikë e quani bashkëkonspirues pa aktakuzë dhe kjo shtjellohet më tej në paragrafin 155 të aktakuzës dhe shtjellohet më tej në paragrafin 329 të dosjes së gjykimit paraprak të Prokurorisë. Ajo ka të bëjë me një incidim që e keni çuar edhe më herët dhe lidhet me një pretendim që ky dëshmitar ka urdhëruar rrëmbimin e tri anëtarëve të familjeve të dëshmitarëve, tri gra të cilat janë gjetur të vdekura”, tha Emmerson.

Avokati tha se meqë dëshmia e dëshmitarit mund të jetë vetëinkriminuese, mund ta lejojë të marrë një këshillë nga një avokat.

“Duke marrë parasysh këtë historik, këtë sfond dhe këtu sigurisht në… të paragrafit 97, paragrafi 5 të protokollit të urdhrit për zhvillimin e procesit gjyqësor të datës 25 janar… ku thuhet se gjatë seancës përgatitore, marrja në pyetje nga z.Pace duhet ta bëjë marrjen në pyetje duke marrë parasysh dëshmitarët dhe informacionet që ai mund të japë, mund të jetë vetëinkriminues dhe që të lejojë që të marrë këshillë nga një avokat”, tha tutje Emmerson.

Emmerson tha se nuk e ka dëgjuar prokurorin James Pace që nuk e ka informuar dëshmitarin se në qoftë se trajtohet ose del ndonjë çështje e cila e inkriminon, atëherë duhet të ngritët çështja te trupi gjykues.

Sipas tij, është e rëndësishme që t’i sqarohet dëshmitari se cilët janë hapat që mund të ndodhin, në rast se cenohen një nga pikat e lartpërmendura.

Tutje, Emmerson tha që në shënimet që i ka parë, nuk e ka të qarë nëse Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që ai jo vetëm që mbetet në dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve.

Ndërsa, prokurori James Pace tha se dëshmitarit iu është bërë me dije dhe se i njëjti ka hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat.

Kabashi thotë se s’ka thënë që e ka parë Thaçin në Jabllanicë, ndërsa me Selimin kanë biseduar

Duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, dëshmitari Shefqet Kabashi thotë se Rexhep Selimin e ka parë në Jabllanicë ndërsa për Hashim Thaçin thotë se nuk është i sigurt.

Gjyqtari Gaynor pyeti Kabashin se sa herë e ka parë Thaçin në kazermën në Jabllanicë ai tha se nuk ka thënë që e ka parë ndonjëherë aty.

Kabashi thotë se Thaçi ka diskutuar me Ramush Haradinajn që Tahir Zemaj të bëhej zëvendëskomandant, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa gjyqtari Gaynor e pyeti Kabashin se nga është informuar se Thaçi kishte diskutuar me Haradinajn lidhur me këtë çështje.

“Ju thatë në deklaratën tuaj se me vonë mësova se Hashim Thaçi kishte diskutuar me Ramush Haradinaj që Tahir Zemaj të ishte zëvendëskomandant. Ju thatë në deklaratën tuaj se Hashim Thaçi kishit diskutuar faktin se Ramush Haradinaj kishte renë dakord që Tahir Zemaj të ishte zëvendëskomandant, nga e mësuat ju këtë gjë”, pyeti gjyqtari.

“Fshati ngjitur me Jabllanicën që ta kuptoni, ngjitur me Jabllanicën kam të afër në fshatin që quhet Dukagjin, disa nga të afërt e mi ishin futur në ushtri me Tahir Zemen në zonën e Dukagjinit , në fshatin e Baranit apo Lugu i Baranit për të cilat kohë që përgjigjej Tahir Zemaj. Sigurisht që dëgjonim nga të dyja palët se çfarë thuheshin. Në atë kohë, të gjithë ishin të kënaqur që ishte arritur njëfarë marrëveshje mes vete që të vepronin të gjithë bashkë kundër serbëve”, tha Kabashi.

Kabashi tha se me Selimin kanë biseduar për uniformë,

“Gjithashtu në të njëjtën kohë kur erdhën nga Jabllanica unë mund të vija brenda ditës, apo të nesërmen, por i pashë aty, diskutuam me Selimin për uniformën”, tha Kabashi.

Ndërsa, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe e pyeti dëshmitarin se këto biseda të pretenduara se nga kush i kishte dëgjuar. Ndërsa, dëshmitari pohoi se i ka dëgjuar nga personat përreth zonës.

Ndryshe, ZPS-ja nuk pati pyetje shtesë për dëshmitarin dhe as nga mbrojtja e Veselit dhe e Selimit, kështu duke përfunduar dëshmia e tij.

Kabashi thotë të ketë dëgjuar një bisedë se Fadil Gashi nuk u bindej urdhrave të Thaçit  

Në deklaratën e tij pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Shefqet Kabashi thotë se kishte dëgjuar që Hashim Thaçi kishte pasur një bisedë me Fadil Gashin.

Sipas Kabashit ai kishte dëgjuar që Gashi t’i ketë thënë Thaçit që nëse ai është “Komandant Gjarpri” ai është një gjarpër tjetër që do të thoshte që nuk do merrte urdhra prej tij, por prej ish-presidentit, Ibrahim Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ne dëgjuam menjëherë se Fadil Gashi kishte pasur një bisedë me Hashim Thaçin në atë kohë e quanin “Gjarpri” kishin bisedë kush është në krye e kush nuk është, kur Hashim Thaçi nuk është se vinte shpesh nga Drenica në Malishevë në ato zona në Zonën e Dukagjinit, nuk vinte çdo javë apo çdo ditë, Hashim Thaçi bashkë me Rexhep Selimin dhe të tjerët nga Shtabi i Përgjithshëm, pra me sa di unë kur ata vinin, vinin dhe ndalonin në fshatin e Sferkës tek Halim Gashi. Fadil Gashi me ato që dinim aso kohe i thanë ata që ne jemi nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ne jepim urdhra për gjithçka që ndodhë në UÇK, kjo u diskutua edhe në gazeta mbas lufte dhe i tha atij që unë jam komandant Gjarpri. Fadil Gashi i tha që në qoftë se ju jeni komandant “Gjarpri” unë jam një gjarpër tjetër që do të thonte se nuk marrë urdhra prej jush por marrë urdhra prej president Rugovës dhe njerëzve të tij”, tha Kabashi gjatë dëshmisë së tij.

Tutje ai tha se pasi kishte dëgjuar këtë bisedë kishte menduar se do të vritej Fadil Gashi pasi që nuk iu ishte bindur urdhrave.

“Pra, nuk e di se çfarë lloj bisede tjetër kishin, por meqenëse po vinin dy makina, Mala po vinte, Binak Gashi gjithashtu, unë mendova se po vinin të dy në të njëjtën kohë. Kur Mala ma tha këtë, nuk e di pse, por pasi e dëgjova këtë bisedë që kishin pasur me njëri tjetrin, mendova se ai donte ta vriste Fadil Gashin se nuk po i bindej urdhrave të tij”, tha Kabashi.

Ai tha se nuk ka qenë pjesë e bisedave që ka dëgjuar mirëpo ka dëgjuar këto gjera atë kohë.

Këto deklarata Kabashi i dha duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor.

Në seancë të mbyllur për publikun, Shefqet Kabashi po vazhdon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, po vazhdon të dëshmojë dëshmitari i 37-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Shefqet Kabashi, i cili po dëshmon në seancë të mbyllur për publikun.

Për dëshmitarin Shefqet Kabashi, ka vazhduar me pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shefqet Kabashi ka filluar dëshminë e tij të martën, ku është marrë në pyetje nga ZPS, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Gregory Keohe, si dhe mbrojtja e Rexhep Selimit, përmes avokatit Geoffrey Roberts, i cili po vazhdon edhe sot me pyetje.

Ndërsa, mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson, ka thënë se nuk ka pyetje për dëshmitarin.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Në Hagë vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, vazhdojnë dëshmitë Kabashi dhe Halitjaha

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot, vazhdon gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve.

Sot pritet të vazhdojnë dëshmitë Shefqet Kabashi dhe Sadik Halitjaha në çështjen ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ndryshe dje në dhomat e Specializuara të Kosovë në Hagë, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Përmes video-lidhjes ka filluar dëshminë dëshmitari Shefqet Kabashi.

Ai iu drejtua Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke i thënë se nuk mund të bashkëpunojë me prokurorët, me arsyen se dëmtojnë shumë njerëz.

Ky dëshmitar në seancën e djeshme ka dëshmuar përmes videolidhjes, ndërsa ka kërkuar të dëshmojë në gjuhën angleze sepse sipas tij deklaratat e mëparshme kanë qenë të keqkuptuara për shkak të dialektit.

Dëshmitari Kabashi ka dhënë dëshmi edhe në çështjen e Fatmir Limajt, ndërsa disa herë është pyetur nga prokurori nëse kanë qenë të sakta deklaratat e tij.

Kabashi ka pohuar se ka thënë të vërtetën derisa ka thënë se nuk ka pasur gatishmëri të bashkëpunojë me Zyrat e Specializuara për shkak se ka dëmtuar shumë dëshmitarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat