1 vit nga sulmi në Zveçan, Sadrijaj thotë se situata e sigurisë në rajon mbetet e brishtë

Aktuale

1 vit nga sulmi në Zveçan, Sadrijaj thotë se situata e sigurisë në rajon mbetet e brishtë

Më: 29 maj 2024 Në ora: 18:06
Xhavit Sadrijaj

Xhavit Sadrijaj, ish-atashe në Gjermani, teksa ka folur për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë protestave të dhunshme nga serbët në Zveçan, ka thënë se pavarësisht trysnisë ende nuk ka ndonjë përgjigje.

Sadrijaj ka thënë se situata e sigurisë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, vazhdon të jetë e brishtë.

“Është vërtet interesante se ende nuk kemi një përgjigje të duhur nga organet përkatëse lidhur me këtë çështje, edhe pse është bërë trysni edhe nga organet vendore, edhe nga Bashkësia Ndërkombëtare. Që nga ky akt, ende nuk kemi ndonjë përgjigje të saktë. Përgjegjësia është e përbashkët. Ne kemi dëgjuar disa deklarata nga të gjithë përfaqësuesit e shteteve… sigurisht përgjegjësia bie mbi të gjithë. Që nga ky rast e pastaj rasti tjetër sulmi terrorist në Banjskë, Bashkësia Ndërkombëtare e pa që situata e sigurisë në rajon është ende e brishtë dhe është eksplozive dhe menjëherë bëri ndërhyrjen në forcat për të përforcuar trupat e tyre që ende janë në Kosovë. Po i shohim manovrimet e shpeshta në vijën kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë… Serbia ende po qëndron në mes dy karrigeve, dhe përderisa po qëndron ashtu, nuk do të ketë zgjidhje në rajonin e Ballkanit Perëndimor e as në mes këtyre dy shteteve”, tha ai.

“Situata e sigurisë në rajon është mjaft e brishtë, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin, marrë parasysh edhe problemet që ka Bosnja dhe Hercegovina me ndërhyrjet e presidentit të ashtuquajturës Srpska Republika…Po i shihni ndërhyrjet e Serbisë edhe në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut”, tha Sadrijaj.

Sipas tij, FSK-ja u takon forcave më të përgatitura në rajon.

“Profesionalisht jam i bindur se është një forcë e përgatitur dhe mund t’i  përgjigjet sfidave që mund t’i ndodhin Kosovës. FSK nuk është e vetme në këto situata”, shtoi më tej ai.

Siç thotë Sadrijaj, ndonëse NATO po vepron me maturi në tërë situatën, teksa e mbështet edhe ushtrinë ukrainase, megjithatë Rusia do të ndërmarrë masa diku tjetër për të hapur një front tjetër.

“NATO po vepron mjaft me maturi në tërë situatën… por sigurisht po e mbështet jashtëzakonisht ushtrinë ukrainase. Rusia do të ndërmarrë masa diku tjetër për të hapur një front tjetër dhe për të shpërqendruar vëmendjen e NATO-s sikurse që mund të jetë një front i ri në Ballkanin Perëndimor. Kjo i konvenon Rusisë, sepse është urdhërdhënësi i të gjitha këtyre”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat