Për e kundër/ Në Parlamentin spanjoll bëhet thirrje që Spanja ta njohë Kosovën

Aktuale

Për e kundër/ Në Parlamentin spanjoll bëhet thirrje që Spanja ta njohë Kosovën

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 12:25 Përditësuar në ora: 18:57 më 25.06.2024
Eduard Pujol Bonell

Deputeti i Junts në parlamentin spanjoll: Kosova është shtet i pavarur, Qeveria e Spanjës duhet ta njohë

Eduard Pujol Bonell, Grupi “Bashkë për Kataluninë”, i cili e prezantoi pikën për njohjen e Kosovës në Parlamentin e Spanjës, para deputetëve ka deklaruar se duhet te tregohet pjekuri në këtë aspekt.

Ai para deputetëve theksoi se Kosova duhet të njihet sepse është shtet demokratik dhe sovran.

“Junts propozon që Qeveria spanjolle të njohë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur.  Por ne po pyesim edhe se kush prej ju është pro njohjes së Kosovës. Ne kërkojmë nga ju të tregoni pjekuri dhe maturi në këtë çështje dhe të zbatoni bindjet demokratike tuajat”.

“Shteti i spanjoll duhet ta njohë Kosovën, sepse Kosova është shtet legal dhe demokratik që e shpalli pavarësinë e vet. Drejtësia nuk duhet të jetë një mjet pazari. Ku është Palestina? Palestina është primare e Kosova në rend të dytë? A po flasim për këtë drejtësi?”, ka thënë Bonell.

Deputetja e partisë së kryeministrit Sanchez: Pozicioni ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet

Në debatin që po zhvillohet ne Parlamentin e Spanjës rreth kërkesës së “Junts” që Qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Kosovës ka folur edhe deputetja socialiste nga partia e kryeministrit Sanchez, Obdulia Tbaoadela Alvarez.

Deputetja Alvarez ka thënë se pozicioni i Qeverisë së Spanjës sa i përket pavarësisë së Kosovës është i njohur dhe s’ka ndryshuar.

“Pozicioni është publik dhe i njohur. Spanja mbanë pozicionin e saj mosnjohjes për Kosovën”, ka thënë ajo në Parlamentin e Spanjës.

Ajo ka thënë se ndonëse vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, Spanja angazhohet për një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Parlamenti i Spanjës nis diskutimin për propozimin e “Junts” për njohjen e Kosovës shtet

Deputeti katalunas Eduard Pujol Bonell ka marrë fjalën për të prezantuar në Parlamentin e Spanjës propozimin e “Junts” që Qeveria e Spanjës ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Bonell ka paraqitur kërkesën për qeverinë e Spanjës për ta njohur Kosovën si shtet, duke përmendur edhe vendimin e Madridit zyrtar për ta njohur Palestinën si shtet të pavarur.

“Refuzimi spanjoll për të njohur një shtet që përdori të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të përfshirjes së Ballkanit Perëndimor në BE dhe ky është një faktor destabilizimi i zonës në një kontekst të karakterizuar nga lufta në Ukrainë që kjo pjesë e Evropës po e përjeton me ankth të veçantë. Në këtë kuptim, nuk është e pranueshme që shteti spanjoll të ketë të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, thuhet në propozimin e shkruar të “Junts”

Parlamenti i Spanjës mblidhet sot në 15:00, këto janë partitë që pritet ta përkrahin propozimin për njohje të Kosovës

Parlamenti i Spanjës do të mblidhet sot në orën 15:00 për të mbajtur seancën plenare, në të cilën do të diskutohet dhe më pas edhe pritet të hidhet në votim propozimi jo-ligjor i deputetëve katalunas të “Junts” për njohjen e Republikës së Kosovës nga Qeveria e Spanjës.

Shefja e deputetëve katalunas në Parlament, Miriam Nogueras, në një intervistë ka treguar se për të kaluar në Kuvend nisma e tyre duhet shumicë e thjeshtë e votave.

“Propozimi mund të kalojë me një shumicë të thjeshtë votash, por në fund njohja e një Shteti të ri sovran mund të realizohet vetëm nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Në këtë intervistë të dhënë të premten e javës së shkuar, Nogueras e pyetur lidhur me votat që kanë arritur të sigurojnë, kishte thënë se presin që nisma të përkrahet nga deputetët katalunas, baskë e galicianë.

Politikanja katalunase kishte thënë se qëndrimi i partive spanjolle rreth njohjes së Kosovës vazhdon të mbetet i njejtë dhe se partia e kryeministrit Sanchez s’ka dhënë sinjale se do të përkrah iniciativën.

 “Partia Socialiste e z. Sanchez nuk ka shprehur ndonjë qëllim për të mbështetur iniciativën. Ata kanë të njëjtin qëndrim si partia Konservatore PP. Në përgjithësi, për partitë spanjolle kjo është një çështje Shteti, një lloj vije të kuqe. Ata mendojnë se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës mund të jetë një precedent për njohjen e mundshme të një shteti të pavarur Katalan nga vende të tjera. Kjo është frika e vërtetë pas qëndrimit të partive politike spanjolle”, ka thënë Nogueras të premten.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat