Si vlerësohet lartësia e dënimit të Mustafës, që u zbut nga 22 vjet në 15 vjet burgim?

Aktuale

Si vlerësohet lartësia e dënimit të Mustafës, që u zbut nga 22 vjet në 15 vjet burgim?

Më: 14 shtator 2024 Në ora: 20:23
Salih Mustafa

Ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, dënimi prej 15 vjetësh burgim për akuzat për krime lufte, vlerësohet se është në limitin që parasheh legjislacioni që ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale. Mirëpo, ka shpresa se edhe kjo lartësi e dënimit, me ankesa të tjera mund të ndryshohet.

Për herë të dytë iu ndryshua lartësia e dënimit.

Ish eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, me vendim të Gjykatës së Apelit në Hagë, iu zbrit dënimi për krime lufte nga 22 vjet në 15 vjet burgim.

Edhe si i tillë, vlerësohet se është në limitin maksimal të legjislacionit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

“Dhomat e Specializuara besoj të kenë kuptuar qartë se vendosja ndryshe është thyerje e ligjislacionit bazë penal, për shkak se është parim në drejtësinë penale që legjislacioni zbatohet ai që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, përveç nëse legjislacioni i mëvonshëm është në favor të të pandehurit”, tha avokati Ardian Bajraktari.

Nga kategoritë e dala nga lufta, besojnë se edhe dënimi prej 15 vjetësh, mund të pësojë ndryshime edhe më tutje në favor të Mustafës.

“Unë besoj se ai ka edhe njëherë të drejtë që të ankohet. Por, ai nuk ka pasur fare përse të dënohet. Nuk ka pasur kurrfarë argumenti bindës që të dënohet. Vetëm më fjalë të kafeve, dënohen ata njerëz. Ose prej njerëzve që janë pagur për të dhënë dëshmi, gjë që e ka vënë në siklet Gjykatën, pasi që ka vetëm dëshmi nga Serbia”, tha përfaqësuesi i kategorive të dala nga lufta, Ahmet Grajçevci.

Mustafa ndodhet në paraburgim që nga shtatori i vitit 2020, kohë e cila do t’i llogaritet në vendimin përfundimtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat