Çfarë thonë të moshuarit për rritjen prej 20% të pensioneve?

Aktuale

Çfarë thonë të moshuarit për rritjen prej 20% të pensioneve?

Më: 8 tetor 2024 Në ora: 19:32
Ilustrim

Si hajgare dhe mashtrim, po shihet rritja prej 20% e pensioneve. Me shtrenjtimin e jetesës viteve të fundit, kjo rritje vlerësohet se nuk do të përbëjë ndryshim në përballueshmërinë e jetesës për ta.

Muajin e ardhshëm, pensionistët do të marrin 20% më shumë para nga sa kanë marrë deri më tani.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës të hënën mori vendim për rritje të pensionëve prej 20%.

Rritja e shumës po vlerësohet e pamjaftueshme nga kjo kategori.

“Sen s’ka bo n’këtë dynja. Hiç s’ka vyjt me rrit as këto, se i ka lanë pensionerët në mjerim. Barnat, sheqeri, yndyra, tensioni. Krejt senet janë shtrenjtu, qe tri vjet sen s’ka bo, kurgjo. Kjo është veç hajt me bo hajgare me pensionista. Mashtrim”, u shpreh Ismet Blakqori- pensionist.

Pensioni edhe me rritjen prej 20%, mendohet se nuk e ndihmon këtë kategori që t’i mbulojnë as shpenzimet bazë të tyre.

“Kurgjo vallahi. Qetash që i mora 100 euro pension, qe qet sakicë e bleva edhe disa gjana çka kam me i ble për shtëpi, edhe mo s’kam. Trohë n’xhep nuk m’jet.”, tha Azem Mjekiqi një tjetër pensionist.

Ka edhe prej atyre që shprehen se rritja ishte e vogël shkak i mungesës së buxhetit.

“E kanë rrit sa kanë pasë mundësi, sa kanë pasë buxhet. Duhet me rrit arsimin, duhet me rrit ushtrinë, duhet me i rrit krejt. Ka punë e punë, por boll pak por sidomos pak e ka fresku, e ka lehtësu”, thotë pensionisti Mehmet Kastrati.

E pensionisti nga fusha e arsimit, Hajrush Emini, ka një përllogaritje tjetër sa i përket rritjes së pensioneve.

“Prej 2008-tës, kur e kemi fitu Pavarësinë, në qoftë se kah 10 euro në vit ishin rrit pensionet, deri më 2021 që i bie pas 13 viteve, kah 10 euro, 130 euro. Edhe qetash për katër vite u rritën 50 euro, sot pensionet do të ishin 180 euro, ato që janë kah 100 euro”, tha ai.

Me 20% rritje, pensioni bazik nga 100 euro do të bëhet 120 euro, kurse kategaria e katërt e pensioneve kontributpagues, nga 265 euro në 318 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat