​Petkoviq u dërgon letër dezinformuese misioneve ndërkombëtare në Kosovë

Aktuale

​Petkoviq u dërgon letër dezinformuese misioneve ndërkombëtare në Kosovë

Më: 24 prill 2025 Në ora: 16:54
Foto ilustrim

Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë, Petar Petkoviq, i ka drejtuar një letër dezinformuese misioneve relevante ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, si dhe ndërmjetësit në dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, shkruajnë mediat serbe.

Sipas mediave serbe, Petkoviq i shkroi Sorensen me qëllim që, siç thuhet të ketë shkruar ai, “t'i informojë për lëvizjen e re të Prishtinës”.

Kjo letër vjen pas mbylljes së kompanisë paralele të ujësjellësit dhe mbeturinave “Novo Javno Preduzece” e cila ka funksionuar në Shtërpcë.

Në letër, siç shkruajnë mediat serbe, Petkoviq u bën thirrje atyre që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të ndalur, siç dezinformon ai, “spiralen e dhunës ndaj serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë në Kosovë”, dhe që “Prishtina të de-përshkallëzojë situatën në terren”.

Po ashtu, transmetohet se Petkoviq ka pretenduar se “qëllimi i akteve të tilla nga Prishtina është ‘një model i vendosur i sabotimit të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, të cilin Prishtina e përdor sa herë që nuk është në gjendje të zbatojë metodën tjetër, të preferuar - pengimin e dialogut përmes pranisë së thjeshtë’”.

“Leposaviqi, si dhe bastisja në objektet e Ndërmarrjes së Re Publike në Shtërpcë, kanë për qëllim zbatimin e një politike të persekutimit të motivuar etnik të serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë, dhe mbylljen e rreth 110 institucioneve përmes krijimit dhe mirëmbajtjes së kushteve të padurueshme të jetesës", citohet të ketë thënë ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë të mërkurën se asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat