Dështon seanca e dhjetë, deputetët shihen sërish të hënën

Aktuale

Dështon seanca e dhjetë, deputetët shihen sërish të hënën

Më: 3 maj 2025 Në ora: 07:33 Përditësuar në ora: 10:44 më 03.05.2025
Kuvendi i Kosovës

Dështon seanca e dhjetë, deputetët shihen sërish të hënën

Ka dështuar për të dhjetën herë, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët do të shihen sërish të hënën, për vazhdimin e 11-të, njoftoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Deputetët e PDK-së vendosin fotot e Thaçit e Veselit para ulëseve të tyre në Kuvend

Deputetët e PDK-së kanë vendosur fotot e Hashim Thaçit e Kadri Veselit para ulëseve të tyre në Kuvend, gjatë seancës së dhjetë konstituive të këtij insitutcioni.

Haradinaj lëshon seancën e Kuvendit

I pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka lëshuar seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Seanca sot është paraparë të fillojë nga ora 10:00, por si gjithmonë edhe në tentimin e 10-të, ajo nuk filloi me kohë.

Nis grumbullimi i deputetëve të Kosovës për seancën e 10-të

Sot do to mbahet vazhdimi i 10-të i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kanë filluar grumbullimin në Kuvend të Kosovës.

Deputetë nga VV, PDK, LDK e AAK tashmë janë regjistruar.

Na ndajnë edhe 10 minuta në fillimin e seancës. 

Haradinaj: Kam dëgjuar që ka përpjekje për të shkuar me një figurë unifikuese për kryetar të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur përsëri sot në përpjekjen e 10-të për të finalizuar konstituimin e Kuvendit.

Para seancës, kreu i AAK-s, Haradinaj tha se ka dëgjuar që ka përpjekje për të shkuar me një figurë unifikuese për kryetar të Kuvendit.

“Sikurse edhe jeni në dijeni edhe sot do të mbahet seanca, rendi i ditës zgjedhja e kryetari. Shpresojmë të kemi një kandidat unifikues, që ta votojmë kryetarin unifikues.

Kam dëgju disa mundësi, ndoshta nuk ka ardhë dita, por kam digju që ka përpjekje për një kandidaturë unfikuese”, tha Haradinaj.

Haxhiu mbërrin në Kuvend

Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë dhe e propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka arritur para pak minutash në Kuvendin e Kosovës.

Ajo iu është shmangur gazetarëve dhe s’ka dhënë përgjigje në pyetjet e tyre se ai ka siguruar votat për t’u bërë kryetare e Kuvendit.

Haxhiu është futur brenda Kuvendit me shpejtësi.

Kurti sërish nuk flet për seancë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka mbërritur në Kuvend për seancën e dhjetë konstituive.

Sërish, nuk e foli asnjë fjalë kur u pyet nga gazetarë.

Bajrami: E papranueshme përpjekja për të ndryshuar mënyrën e votimit

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, pak para nisjes së seancës së dhjetë konstituive të Kuvendit të Kosovës, u shpreh se është e papranueshme përpjekja për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë procesit.

Ajo theksoi se LDK-ja ka qenë gjithmonë e qartë në qëndrimin e saj.

“Nuk jemi ne ata që duhet të ndërrojmë qëndrim”, tha tutje ajo.

Sipas saj, një ndryshim i votimit mund të bëhet vetëm në fillim të procesit dhe jo në fazën kur votimi është duke u zhvilluar.

Përpjekja e dhjetë/ A do të konstituohet Kuvendi sot?

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen përsëri në përpjekjen e radhës për të finalizuar konstituimin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit si fituese e zgjedhjeve ka dështuar për gjashtë herë radhazi që të sigurojë 61 vota për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si pasuese të Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit.

Në seancën e fundit, duke parë disa dështime radhazi, partia e Kurtit përmes Avni Deharit si kryesues i seancës, kishte tentuar të ndryshojë mënyrën e votimit, por pa sukses. Sipas tyre, nëse votimi do të bëhet në mënyrë të fshehtë, deputetët s’do të kenë presion dhe do të votojnë më lirshëm. 

Se e duan votimin e fshehtë edhe në seancën që do të mbahet sot në orën 10:00 e ka paralajmëruar edhe deputeti Hekuran Murati, i cili përmes një reagimi në orët e vona të së premtes i kërkonte opozitës që ta përkrahin kandidaturën e Haxhiut për kryeparlamentare dhe sugjeronte mënyrën e fshehtë të votimit.

“Marrë parasysh situatën në të cilën gjendemi, mendoj që mënyra e votimit të fshehtë, e sugjeruar edhe nga Gjykata Kushtetuese, ofron mundësinë ideale për të dalë nga bllokada dhe deputetët e zgjedhur të mund të çojnë në vend pushtetin e deleguar nga qytetarët, duke konstituuar Kuvendin e duke zgjedhur qeverinë e re”, ka shkruar Murati të premten.

Gjasat që opozita të ndryshojë qëndrim lidhur me votimin e kryekuvendarit nëse LVV nuk e ndërron kandidaten janë zero. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, madje s’ka pranuar fare ftesën e dytë të Kurtit për takim konsultativ rreth konstituimit të Kuvendit. 

Pritet të shihet nëse LVV do të synojë përsëri që të ndërrojë mënyrën e votimit në Kuvend apo nëse do ta ndryshojë kandidaturen për kryetare, meqë që nga 19 prilli kur deputetët janë betuar, kanë dështuar të sigurojnë 61 vota.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat